Bisedimet u ndërmjetësuan nga Shërbimi për Punë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Anna Maria Boura, Alexis Hupin, Andzej Franges, Thomas Busch dhe bashkëpunëtorët e tjerë, takimet u zhvilluan kryesisht në formatin bilateral.
Për çështjen e njohjes reciproke të diplomave mes dy shteteve dje është arritur marrëveshja për implementim dhe për të cilën opinioni është njoftuar dje përmes komunikatës zyrtare, njoftoi sot zyra për media e Kryeministrisë.
“Tema tjetër dhe kryesore ishte lëvizja e lirë, përkatësisht zbatimi i reciprocitetit në çështjet e tabelave të regjistrimit të automjeteve. Delegacioni i Republikës së Kosovës njoftoi Bashkimin Evropian se ka vendosur ta shfrytëzojë të drejtën që sigurohet nga Marrëveshja e lëvizjes së lirë për të zbatuar reciprocitetin e plotë dhe ky reciprocitet përfshin çështjen e tabelave ‘’prova’’ ku delegacioni bëri me dije se në qoftë se Serbia nuk i heq tabelat ‘’prova’’ për automjetet e Kosovës me tabelat ‘’RKS’’ atëherë Kosova do aplikojë masa reciprociteti duke aplikuar tabela ‘’prova’’ për automjetet e Serbisë. Po ashtu, delegacioni i Kosovës njoftoi se do të aplikojë edhe masa tjera siç janë pagesat administrative për këto tabela si dhe dokumentin hyrje – dalje për qytetarët e Serbisë. Delegacioni potencoi se Kosova nuk ka aplikuar këto masa duke pasur prirje që të realizojë një lëvizje vërtet të lirë sipas standardeve evropiane, mirëpo, meqenëse Serbia me masat e saja ka vështirësuar dhe frustruar procesin e lëvizjes së lirë, atëherë Kosovës nuk i mbetet zgjidhje tjetër pos që të zbatojë reciprocitetin. Ndërmjetësi i BE-së Alexis Hupin propozoi që kjo temë të diskutohet edhe në takimin e radhës në përpjekje që të gjitha palët të gjejnë një zgjidhje që është në interes të qytetarëve dhe që nënkupton përmirësim të lëvizjes së lirë e jo pengesa. Pala e Kosovës ishte e vendosur dhe këmbënguli që çfarëdo zgjidhje duhet të bëhet me reciprocitet.
Në takimin e grupit punues për zbatimin e marrëveshjes për kadastër ? ?shtë diskutuar për vonesat në zbatimin e kësaj marrëveshjeje nga ana e Kosovës, e cila ka prolonguar miratimin e projektligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës nga ana e Kuvendit të Kosovës. Ky projektligj është në procesin e miratimit nga parlamenti i Kosovës për herën e dytë. Po ashtu, në këtë takim u diskutua edhe për procesin e skanimit të dokumentacionit kadastral nga ana e Serbisë, proces ky që është zhvilluar me ritëm të ngadaltë. Vonesat e Kosovës në miratimin e këtij ligji të rëndësishëm që ndihmon në kompletimin e sistemit kadastral të Kosovës dhe është në interes të qytetarëve për çështjen e pronave andaj është kërkuar nga Kosova që sa më shpejt të miratohet ky ligj i cili hap rrugën e kthimit të dokumentacionit kadastral. Po ashtu, u kërkua edhe nga Serbia që të përshpejtojë procesin e skanimit të këtyre dokumenteve. Në fund të këtij takimi palët u dakorduan që implementimi i kësaj marrëveshjeje të vazhdojë me ritëm të përshpejtuar.
Ndërsa, në kuadër të takimit për Zyrat Ndërlidhëse, delegacioni i Kosovës kërkoi avancim të zbatimit të saj sidomos në aspektin e gjetjes së një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët për logot dhe vulat e të dy zyrave, çështjen e shtimit të hapësirave, stafit dhe avancimin e komunikimit në mes të zyrtarëve ndërlidhës dhe qeverive përkatëse. Pala jonë dha kritika për mos pranim të deritashëm të Zyrtarit Ndërlidhës të Republikës së Kosovës nga nivele ministrore në Serbi, ku u theksua se Zyrtari Ndërlidhës i Serbisë në Kosovë vetëm se ka zhvilluar disa takime me disa ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Si rrjedhojë e kësaj, u arrit dakordimi që Zyrtari Ndërlidhës i Republikës së Kosovës të pritet zyrtarisht gjatë muajit tetor nga ministri i Arsimit të Serbisë, Serxhan Verbiq, ku mes tjerash do të bisedohet edhe për çështjen e l ibrave që Qeveria e Kosovës po i dhuron për nxënësit e Luginës së Preshevës. Po ashtu, në muajt në vijim do të intensifikohen angazhimet që kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ta pres zyrtarisht në takim zyrtarin ndërlidhës të Serbisë në Kosovë dhe kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç ta pres zyrtarin ndërlidhës të Republikës së Kosovës në Serbi”, thuhet në komunikatë.