Lajmet e fundit

Policia e Kosovës me plan për mbarëvajtjen e protestës

police31Prishtinë, 15 shkurt – Policia e Kosovës përmes një komunikate për medie ka njoftuar për planin e vet operacional, me qëllim të mbarëvajtjes së protestës së paralajmëruar të opozitës për 17 shkurtin, transmeton Koha.net.
Në komunikatë thuhet:
Me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestën e cila pritet të mbahet më 17 shkurt 2016, në orën 14:00, Policia e Kosovës me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme duke hartuar planin operativ.
Qëllimi strategjik i këtij plani operativ është:
*Siguria e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit.
*Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas protestës.
*Ndërmarrja e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i të gjitha dukurive negative që mund të shkaktojnë jo stabilitet.
*Parandalimin, luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme që në çfarëdo mase do të rrezikonte qetësinë publike, apo shkaktimin e dëmeve në pronë publike apo private.
Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve.
Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi.
Zbatimi i ligjit, garantimi i rendit dhe qetësisë publike, lëvizja e lirë dhe mbarëvajtja e kësaj proteste është prioritet i planit të PK-së.
Bazuar në historikun e zhvillimit të protestave të deritashme dhe vlerësimeve të bëra, Policia e Kosovës disponon informacione se gjatë protestës nga persona të ndryshëm mund të përdoren mjete që shkaktojnë dhunë apo rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe të zyrtarëve policor siç janë: mjetet të ndryshme të forta, koktej molotovi duke mos përjashtuar edhe përdorimin e armëve të zjarrit, prandaj, Policia e Kosovës Apelon te të gjitha shtresat e qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët kujdesen për rendin dhe sigurinë publike.
Njëkohësisht, Policia e Kosovës me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe krijimit të një ambienti sa më të sigurt për punë të gazetarëve, me mirësjellje kërkon nga mediumet, gazetarët, fotoreporteret etj. që të pajisen me pajisjet e nevojshme për identifikimin e tyre, duke përfshirë ID-të identifikuese dhe jelekët reflektues me mbishkrime PRESS.
Kjo kërkesë ka të vetmin qëllim ndaj mediumeve dhe gazetarëve, që t’ju mundësojë krijimin e hapësirës për punë përmes identifikimit të tyre, ofrimit të sigurisë ndaj tyre dhe shmangies së çfarëdo lloji të incidentit të mundshëm.
Policia e Kosovës gjithashtu ka angazhuar kapacitetet e saj për të garantuar rendin dhe sigurinë e përgjithshme gjatë zhvillimit të aktiviteteve festive për nder të përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, dhe qytetarëve tanë t’u mundësohet festim sa më dinjitoz në këtë datë të rëndësishme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.