Korrupsioni vazhdon të lulëzojë në Kosovë derisa shihet progres minimal në përpjekjet kundër korrupsionit gjatë katër viteve të fundit, u tha të enjten me rastin e publikimt të raportit “Vlerësimi i sistemit të integritetit kombëtar në Kosovë” nga Institutit Demokratik i Kosovës (KDI), anëtar i Transparency International në Kosovë.
Në këtë raport mbi vlerësimin e sistemit të integritetit Qeveria e Kosovës, partitë politike dhe ndërmarrjet publike prijnë me integritetin më të keq kombëtar, ndërsa Avokati i Popullit dhe Auditori i Përgjithshëm janë institucionet me integritet më të lartë.
U përmend se tri të gjeturat kryesore të këtij raporti janë mungesa e zbatimit të ligjit në praktikë, mungesa e bashkëpunimit të institucioneve në luftën kundër korrupsionit dhe mungesa e e llogaridhënies dhe integritetit institucional.
Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i Instituti Demokratik i Kosovës, tha se nëse qeveria vazhdon të mos i qaset me seriozitet trajtimit të korrupsionit do ta minoj procesin e qëndrueshëm ose partneritetin e qëndrueshëm në bashkëpunim me BE-në jo vetëm që do të vuajë vendi në drejtim të stabilitetit politik edhe financiar por qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të ndjejnë edhe më shumë efekte të varfërisë, si pasojë e veprimeve edhe metodave korruptive të përhapura.
“Prandaj unë me të vërtetë shpresoj, se ky studim do të ndihmojë qeverinë që të gjenerojë vullnetin politik të nevojshëm për marrjen e masave konkrete për ndaljen dhe parandalimin e korrupsionit”, theksoi Kryeziu.
Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë, tha se lufta kundër korrupsionit fitohet nga prokuroria, policia dhe gjyqësori e nga Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit i presidentes Jahjaga, të cilin e qiajti një OJQ. Ai tha se korrupsioni nuk luftohet as nga qeveria, e cila sipas tij, vetëm e shpreh vullnetin politik në infrastrukturë ligjore buxhetore. Kuçi shtoi se me luftën kundër korrupsionit duhet të merret edhe Prokuroria Speciale.
“Nuk do të ishte e mirë që dikush të ngriste aktakuza dhe 80% të refuzoheshin ose të marrë vendime në gjykatë në shkallën e parë dhe të anulohej në shkallën e dytë, mendoj se duhet të identifikohen individët që merren me këto veprime sepse nuk munden të gjithë të merren me luftën e korrupsionit në vend.
Ne sot kemi 7 institucione që thonë se merren me luftën kundër korrupsionit përfshirë edhe Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, i cili është një OJQ.
Unë kam dëshirë që t’i shoh prokurorët, policinë tonë, gjyqtarët tonë para medieve në raste konkrete. Po ashtu, ne kemi nevojë të bëjmë një rishikim të sektorit të drejtësisë i cili duhet të jetë institucional.
Ajo që ne besojmë shumë është fuqia e individit pra pak njerëz kurajoz mund ta ndryshojnë sistemin e integritetit dhe të gjithë ne jemi njëjtë të përkushtuar që të ndihmojmë në luftimin e kësaj dukurie. Sot kemi dukuri të veprimeve negative dhe sot askush nuk e merr përgjegjësinë që po luftohet ose nuk po luftohet kjo dukuri”, tha Kuçi.
Libor Chrald, nga Zyra e Bashkimit Evropian, tha se ka shumë institucione në Kosovë që e luftojnë korrupsionin.
Sipas tij, sfida kryesore është të bëhet një përpjekje e përbashkët për ta luftuar atë.
Edhe Andrew Rusell nga UNDP tha se në këtë aspekt në Kosovë ka shumë sfida por sipas tij, ka edhe hapësirë për optimizëm sepse këtu ka eddhe shumë njerëz të guximshëm.
Visar Sutaj, njëri nga autorët e raportit, tha se tri të gjeturat kryesore të këtij raporti janë mungesa e zbatimit të ligjit në praktikë, mungesa e bashkëpunimit të institucioneve që merren me luftimin e korrupsionit dhe niveli i ultë i integritetit në institucionet e Kosovës.
“Në Kosovë, ka një tendencë për të adresuar problemet e korrupsionit me strategjitë kombëtare dhe planet e veprimit, të cilat në praktikë, duken më shumë si listë dëshirash në vend të zgjidhjeve me prioritetet për ndryshim.
Dy prej institucioneve më të mbyllura apo më jo transparente në këtë raport kanë qenë KQZ dhe agjencia kundër korrupsion. Po ashtu, në këtë raport, tri prej institucioneve që kanë integritet shumë të ultë janë partitë politike, qeveria dhe ndërmarrjet publike”, tha Sutaj.
Rekomandimet kryesore që dolën nga ky raport janë bashkëpunimi ndërinstitucional në luftën kundër korrupsionit duhet të forcohet, institucionet që luftojnë korrupsionin të thjeshtohen dhe kapacitetet e sistemit e sistemit të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit të rritur të rritur.