Lajmet e fundit

Prokurori përgënjeshtron alibinë e Ivanoviqit

Prokuroria beson se Ivanoviq ishte një anëtar i forcave ushtarake dhe paraushtarake serbe prej vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999, ndërsa prokurori tha se vet Ivanoviq e ka pranuar se gjatë kësaj periudhe ka qenë në korpus të policisë rezervë.

Gjatë fjalës përmbyllëse në gjykimin e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, dhe katër serbëve të tjerë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, prokurori ka thënë se ka dëshmi të kontestuara në alibinë e të akuzuarve për ngjarjet, për të cilat ata janë të ngarkuar në aktakuzë, njofton Klan Kosova.

Prokurori tha ndër të tjera se Prokuroria beson se të akuzuarit ishin fajtorë.

Duke folur për ngjarjet e 14 prillit të vitit 1999, kur në pjesën veriore të Kosovës në Mitrovicë u vranë 20 shqiptarë, prokurori, mes tjerash, tha se disa dëshmitarë e kanë identifikuar edhe Ivanoviqin, si pjesëmarrës atë ditë.

Gjatë asaj kohe, sipas prokurorit, Ivanoviq kishte të veshura katër uniforma të ndryshme të ushtrisë dhe policisë serbe.

Prokurori, po ashtu pohoi se deklarata e Ivanoviq – se duhej të ishte çdo ditë në punë në Prishtinë – del të jetë e pavërtetë.

Prokuroria beson se Ivanoviq ishte një anëtar i forcave ushtarake dhe paraushtarake serbe prej vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999, ndërsa prokurori tha se vet Ivanoviq e ka pranuar se gjatë kësaj periudhe ka qenë në korpus të policisë rezervë.

Po ashtu, u deklarua se Prokuroria beson se Ivanoviq ishte një nga themeluesit e “Rojeve të Urës”.

Në gjyqkimin e zhvilluar kundër Ivanoviqit dhe katër serbë të tjerë u dëgjuan 55 dëshmitarë, dhe gjykimi filloi më 18 dhjetor të vitit të kaluar.

Ivanoviq akuzohet për kryerjen e krimeve të luftës kundër civilëve të kryera gjatë viteve 1999 dhe 2000.

Aktakuza përfshinte kolonelin në pension të MUP-it të Serbisë Dragoljub Delibasiq, Ilia Vujaçiq dhe babai i tij Nebojsha dhe Aleksandar Lazoviq, të cilët janë akuzuar për vrasje dhe tentim vrasje.

Paneli Ndërkombëtar i Gjykatës Komunale në Mitrovicë, ishte i udhëhequr nga Roxana Komsa nga Rumania.

Leave a Reply

Your email address will not be published.