Lajmet e fundit

Prokuroria: Po Hetohen të Gjithë Deputetët e Dyshuar për Lotsjellës

Pesë deputetë të opozitës janë arrestuar dhe dy të tjerë janë duke u kërkuar nga Policia e Kosovës nën dyshim se kanë kryer veprime kundërligjore duke hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Ky është bilanci i dalë nga hetimet e policisë dhe prokurorisë për ngjarjet që kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës gjatë dy muajve të fundit.

Deputeti Albin Kurti nga Vetëvendosje dhe Donika Kadaj nga AAK gjenden në paraburgim njëri në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz ndërsa tjetra në Burgun e Femrave në Lipjan.

E tre deputetë të tjerë, Ismajl Kurteshi, Fisnik Ismajli dhe Haxhi Shala gjenden në arrest shtëpiak.

Këto janë masat që prokurorët kanë caktuar ndaj pesë deputetëve që janë përfshirë në hedhje dhe futje të gazit në Kuvendin e Kosovës gjatë seancave parlamentare.

Për dallim nga deputetët që kanë të shqiptuar një masë sigurie, dy deputetë tjerë, Albulena Haxhi dhe Faton Topalli gjenden në arrati.

Ndaj tyre ekziston flet-arrest që akoma është në fuqi por që nuk është zbatuar deri më sot.

Prokuroria e Shtetit në një deklaratë për KALLXO.com ka thënë se ky institucion është duke mbledhur informata ndaj të gjithë deputetëve që kanë kryer veprime kundërligjore.

“Ndaj të gjithë deputetëve që kanë kryer veprime kundërligjore janë duke u mbledhur informata nga Prokurori i Shtetit. Ndërkaq, policia është në kryerje të detyrës për zbatimin e urdhëresës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Organi i akuzës nuk ka bërë të ditur emrat e atyre deputetëve që kanë kryer këto veprime kundërligjore.

Në njërën nga seancat parlamentare, në një korridor të ndërtesës së Kuvendit, është parë deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi që po ndihmonte deputeten e AAK-së, Donika Kadaj për mbylljen e dyerve pas hedhjes së gazit lotsjellës derisa deputetët e koalicionit qeveritar po dilnin nga objekti i Kuvendit.

Deputeti Rexhep Selimi ka pranuar këto veprime ndërsa për KALLXO.com tha se nuk ka pasur ndonjë thirrje nga policia apo prokuroria për shkak se nuk ka kryer vepra të kundërligjshme.

“Nuk kam marrë ndonjë ftesë. Ne nuk distancohemi nga veprimet e kolegëve tanë të cilët kanë hedhur gaz. Ndërsa sa i përket asaj videos unë nuk kam qenë duke bërë asgjë tjetër vetëm duhet hapur një derë të mbyllur padrejtësisht”, tha Selimi.

Ndërsa sa i përket policisë dhe prokurorisë që po hetojnë gjithë deputetët nuk është ndonjë lajm e as ndonjë risi.

Ai dënoi veprimet e prokurorisë ndaj deputetëve të opozitës ndërsa the se nuk ka dijeni se ky gjenden dy kolegët e tij, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu.

Po ashtu në seancën e fundit që është mbajtur 31 nëntor, është parë edhe një “fërkim” mes deputetit të NISMA-së, Zafir Berisha dhe njërit nga pjesëtarëve të sigurimit të Kuvendit gjatë hedhjes së gazit lotsjellës.

Deputeti Zafir Berisha tha për KALLXO.com se ka reaguar but ndaj pjesëtarit të sigurimit.

“Sa i përket atij sigurimit, apo policit me maskë, ai ka ardhur te unë jo unë te ata. Ju e dini që Kuvendi është për deputet dhe jo për bomba, mafioza dhe njerëz me maska. Kështu që ardhja e njerëzve me maska në atë moment kur unë isha nën ndikimin e gazit lotsjellës, shumë butë kam reaguar dhe mendoj që kam qenë njeriu më paqësor në atë seancë”, tha ai.

Berisha tha se nuk është në dijeni nëse është duke u hetuar.

“Unë nuk kam kurrfarë ftese as prej policisë dhe as prej prokurorisë sepse llogaris se e kam kryer detyrën e deputetit. Por gjithçka është e mundur duke e parë represionin e bombave të Hashim Thaçit e Isa Mustafës”, tha Berisha.

Pesë deputetë tashmë janë nën kontrollin e shtetit, kush në paraburgim e kush në arrest shtëpiak.

Por deputetët Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli janë ende të pakapshëm për policinë.

Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës për KALLXO.com tha se fletarrestet ndaj tyre akoma janë në fuqi.

“Sa i përket fletë arresteve ato janë aktive dhe normalisht në konsultim me organet e drejtësisë ato janë në realizim e sipër”, tha Hoxha.

Leave a Reply

Your email address will not be published.