Pjesëmarrës në këtë eveniment ishin zyrtarë komunalë dhe të vendit, asambleistë, dhe familjarë të personave të zhdukur. Me këtë rast, u tha se me një libër të tillë, dokumentohet para botës e vërteta e luftës në Kosovë, dhe kontributi i atyre që dhanë jetën për liri.
Kryetarja e shoqatës “Thirrjet e nënave”, Nysrete Kumnova tha se përveç rrëfimeve tjera të familjarëve, kanë arritur të sjellin edhe tri rrëfime nga të mbijetuarit të masakrës së 10 majit 1999 në Gjakovë.
“Në brendi të kësaj Monografie mund të gjeni 148 rrëfime të familjarëve të goditur, të cilët rrëfyen për më të dashurit e tyre, të rrëmbyer dhe të zhdukur gjatë luftës. Ne kemi arritur të sjellim edhe tri rrëfime nga të mbijetuarit të masakrës së shtatë , të 10 majit 1999, Gjakovë, Agron Binaku, Behar Ef endia dhe Ilirian Dana. E vërteta për krime lufte erdhi si botim monografik. 16 vite të pas luftës të një aktiviteti të mundimshëm dhe gjithëpërfshirëse që bëri shoqata jonë , duke parë rëndësinë e botimit të kësaj Monografie me dëshmi dhe për krime lufte ne patëm përkrahje të madhe nga të gjithë familjarëve dhe të akademikut të cilit ia vlen të përmendet Pajazit Nushit”, ka thënë ajo.
E para e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, u shpreh se me botimin e kësaj monografie, ato kanë në duart e tyre një mbledhje faktesh dhe të vërtetash.
“ Duke rrugëtuar për kaq vite, tani na sjellët përpara dokumentet i dhimbjes faktike të atyre njerëzve të pa mbrojtur dhe të pafajshëm, të cilët ndonëse jetën e deshën në vendin e tyre, u vranë mizorisht dhe po aq mizorisht dhe barbarisht u transferuan mbetjet e tyre mortore në lokacione të ndryshme, me skenar të një sistemi kriminel që përveç shfarosjes fizike, duhej të shfaroseshin edhe gjurmët “, ka thënë ajo.
Në fjalën e tij të rastit, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se gjatë kohës sa ishte president sfida e tij më e rëndësishme, ishte ngritja e zërit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe rrëmbyer.
“Është një moment i rëndësishme në pjesën e kërkesës tonë për drejtësi në zbardhjen të gjithë asaj që ndodhi dhe me këtë përmbledhje që ju keni bërë për të vënë në letër, humbjen e madhe, dhembjen dhe kujtimin tonë për të gjithë ata njerëz që i quajnë njerëz të lirisë, njerëz të altarit të saj….ajo që ju keni bërë është një përgjigje e mirë e përqendrimit të qartë intelektual të njeriut që dëshiron atë gjurmë të gjakut ta shënoj edhe në letër“, ka thënë ai.
Kryetar i Komisionit Qeveritar për personat e pagjetur, Prenk Xhetaj deklaroi se kriminelët në Serbi po priten si heronj.
“Libri, kënga, poezia, lapidari, çdo gjë që shkon në përkujtim të atyre që kanë derdhur gjakun për liri janë monumente të veçanta.. mbaj një përgjegjësi të veçantë sepse ende nuk kemi mund të zgjidhim çështjen e të pagjeturve, sepse kriminelet kanë humbur gjurmët.. në anën tjetër kriminelet priten si heronj“, ka thënë Xhetaj.
Ndërkaq Mevlyde Saraqi, një nga redaktoret e monografisë “E vërteta për krimet serbe”, tregoi se me një publikim të tillë, është një pjesë e historisë së Gjakovës, ku u krye krimi më i rëndë në Kosovë.
Luljeta Sharani, një nga familjaret e personave të zhdukur në Gjakovë, tha se përmes këtij libri gjeneratat e reja do të dinë për kontributin e atyre që dhanë jetën për liri.
Botimi prej 100 ekzemplarësh i librit monografi për personat e zhdukur dhe të rrëmbyer gjatë luftës në periudhën 24 mars 1999-12 qershor 1999, u mundësua falë fondit të ndarë nga Komuna e Gjakovës, me shpresën që në vitin e ardhshëm do të ketë një numër më të madh botimesh./Tv Syri/