Arbesa Ibrahimi & Diamant Bajra
Protesta e paralajmëruar të mbahet më 28 Nëntor, nga tri partitë opozitare, vlerësohet në mënyra të ndryshme. Si rrjedhojë, ideja, qëllimi, forma e pritur dhe data e caktuar e saj, shihet nga këndvështrime të ndryshme si nga politikanët e pozitës, ashtu edhe të opozitës, me ç’rast opozita si organizatore e saj, shprehet e vendosur se kjo protestë është e thirrur për t’i shprehur mospajtimet lidhur me marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë dhe me Malin e Zi.
Kurse, Pozita nga ana tjetër thotë se partitë opozitare ndonëse po thërrasin protesta, nuk kanë sjellë asnjëherë argument se marrëveshjet shkojnë në dëm të vendit.
Mendime të ndryshme sa i takon këtij “Marshi Paqësor”, kanë edhe analistët, historianët e qytetarët e zakonshëm të Republikës së Kosovës, me ç’rast disa e shohin të rrugës, disa si një e drejtë për ta bërë këtë, e disa si jo të duhur.
Kurse, sa i përket mbarëvajtjes së kësaj proteste, Policia e Kosovës është shprehur e gatshme të dalë me një strategji për këtë datë.
Salihaj: Opozita nuk dha fakte se marrëveshjet janë të dëmshme!
Deputeti i Pozitës nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj, ka thënë për Gazetën Blic, se Opozita e ka caktuar datën e 28 Nëntorit për të protestuar, për të vetmen arsye që të ketë sa më shumë pjesëmarrës.
“Opozita ka paralajmeruar një protestë paqësore për Ditën e Flamurit,vetëm sa për ta shënuar këtë festë në mënyrën e saj dhe për ta treguar fuqinë me numrin e pjesëmarrësve”, është shprehur Salihaj.
Ai më pas ka theksuar se opozita deri sot, përpos veprimeve të dhunshme, nuk ka sjellë ndonjë argument për ta dëshmuar dëmin e Demarkacionit.
„Opozita deri më tash, përveç fjalëve, bllokimit të Kuvendit dhe protestave të dhunshme, nuk ka ofruar asnjë fakt relevant lidhur me çështjen e Demarkacionit të kufirit. Deklarimet e blegëtorëve në kohët tona moderne nuk përbejnë një argument të mjaftueshëm“, ka thënë ai.
Sherifi: Datën e kemi caktuar qysh moti!
Kurse krejt ndryshe nga Salihaj, mendon sekretari i përgjithshëm i NISMA-s, Bilal Sherifi.
Duke folur për protestën, ai me theks të veçantë e ka fokusuar ditën e mbajtjes së saj (të shtunën), por jo edhe datën, duke lënë të nënkuptohet që data 28 nuk ka qenë tërësisht e qëllimshme për këtë „Manifestim Paqësor“, siç ai e ka quajtur. Kjo, pasi që sipas tij moti është planifikuar që protesta të mbahet në një ditë të shtunë, pasi që shumica e qytetarëve të kenë mundësi të marrin pjesë.
“Sa i përket ditës së protestës, shumë herët ka qenë e vendosur që kjo ditë të jetë e shtunë, në mënyrë që t’iu mundësohet të marrin pjesë të gjithëve që dëshirojnë të shprehin mospajtimin me kërkesat, qofshin të papunë apo të punësuar, nën dy, që protestën ta shndërrojmë në një Manifestim Paqësor dhe nën tre që Manifestimi të mbahet në sheshin Zahir Pajaziti e jo para ndërtesës së qeverisë. Të gjitha këto masa janë ndërmarrë që qeverisë t’ia heqim çdo pretekst për të provokuar. Fakti që në këtë të shtunë është edhe 28 nëntori vetëm sa i jep kuptim edhe më të madh Manifestimit gjithë popullor”, është sqaruar Sherifi.
Për dallim nga sekretari i NISMA-s, analistët mendojnë se data e 28 Nëntorit ka qenë plotësisht e qëllimshme. Dhe, kjo datë, siç mendojnë ata, është përzgjedhur me të vetmin synim që të mblidhen sa më shumë qytetarë.
Matoshi: Protesta është legjitime!
Njohësi i çështjeve politike, Halil Matoshi, ka vlerësuar se data 28 për të protestuar, është përzgjedhur qëllimshëm, ndonëse e drejta për të protestuar është e garantuar sipas tij.
“E drejta e protestës nuk mund t’i mohohet askujt në një demokraci. Kjo datë është zgjedhur si simbolikë, që të përfshijë emocionalisht sa më shumë njerëz në protestën e ligjshme të opozitës, nëse ajo do të jetë paqësore siç edhe është paralajmëruar nga liderët opozitarë”, ka thënë ai.
Megjithëkëtë, Matoshi nuk ka përjashtuar mundësinë, që të ndodhë diçka jashtë asaj që opozita ka paralajmëruar.
“ Rrethanat janë të tensionuara dhe mund të ndodhë gjithçka, mirëpo besohet se opozita e ka krijuar tashmë percepcionin se veprimet e dhunshme komprometojnë në thelb vetë kauzat e opozitës, duke e legjitimuar koalicionin qeverisës, në sy të ndërkombëtarëve dhe sidomos në sytë e publikut kosovar”, ka shtuar ai për Gazetën Blic.
Mushkolaj: Ecuria e protestës varet nga sjellja e policisë dhe e protestuesve!
Ndërsa analisti politik, Imer Mushkolaj ka vlerësuar ecuria e protestës varet krejt nga sjellja e protestuesve dhe policisë.
“ Varet se a do të ketë provokim të situatës qoftë nga protestuesit, qoftë nga organet e rendit. E mira do të ishte që marshi vërtet të jetë paqësor, ashtu çfarë edhe është paralajmëruar”, ka thënë ai.
Sa i takon datës së mbajtjes së “marshit paqësor”, Mushkolaj është shprehur ngjashëm sikurse Matoshi, duke thënë se kjo datë është zgjedhur qëllimshëm, për të mbledhur sa më shumë njerëz në protestë, ndonëse siç shprehet ai, data 28 për protestë, është legjitime.
“Është e drejtë e opozitës që të protestojë dhe zgjedhja e datës 28 për protestë është legjitime. Natyrisht, data nuk është zgjedhur rastësisht dhe e ka simbolikën e vet dhe opozita e ka shfrytëzuar mundësinë që në këtë ditë të mblidhen sa më shumë protestues. por, më e rëndësishme sesa data është forma si do të zhvillohet protesta, respektivisht rrjedha e qetë e saj”, ka përfunduar ai.
Buxhovi: Ja vetëm kur organizohen protesta të tilla!
Kurse historiani Jusuf Buxhovi, mendon ndryshe sa i përket protestës së thirrur më datën 28.
Ai ka vlerësuar se në data të tilla historike, protesta mund të organizohen vetëm në ato shtete, të cilat kanë probleme të jashtme.
“Te popujt e qytetëruar dhe me traditë shtetformuese, shënimi i ditëve të veçanta (ajo e flamurit ose e pavarësisë) kanë karakter manifestues dhe mobilizues, por nuk përjashtohen edhe protestat, të cilat lidhen me ngjarje të veçanta, siç janë ato që kanë të bëjnë me rrezikimet nga jashtë, të cilave u duhet mobilizimi kombëtar.
Meqë Kosova si shtet i krijuar nga perëndimorët, nuk është i rrezikuar nga jashtë, atëherë del se ato kanë probleme të brendshme, që kanë të bëjë me keqqeverisjen, që për shkaktar ka politikën dhe sjelljen e saj të papërgjegjshme kundruall zhvillimeve shoqërore dhe politike, është shprehur ai.
Si rrjedhojë, ai ka ka shtuar se data e e kësaj feste, si e përzgjedhura për të protestuar, krijon ndjesinë e “instrumentalizimit të patriotizmit” për synime të caktuara politike.
“Caktimi i protestës në një ditë aq të rëndësishme siç është ajo e pavarësisë kombëtare si dhe sloganet që dëgjohen “ta mbrojmë shtetin” e të ngjashme, krijojnë përshtypjen e instrumentalizimit të patriotizmit për qëllime të caktuara politike, mbi të cilat me të drejtë mund të polarizohet shoqëria jonë , e cila ka përvojë të keqe me “patriotët”, dhe “çlirimtarët”, shumë prej të cilëve janë kthyer në dhunues mizorë të lirisë dhe të demokracisë si dhe të vlerave të tjera të gjithëmbarshme shoqërore dhe njerëzore madje”, ka thënë Buxhovi në një prononcim për Gazetën Blic.
Kelani paralajmëron Albin Kurtin e Albulena Haxhiun!
Ndërsa, sa i takon mbarëvajtjes së protestës, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani, është shprehur i bindur se PK-ja do ta hartojë planin e saj, dhe do të jetë e gatshme në raste të mundshme të eskalimit të situatës.
“Policia e Kosovës e njeh te drejtën e qytetareve për tubime publike dhe protesta të qeta dhe për këtë do të bëjë planifikimet e saja operacionale për ndërmarrjen e masave të nevojshme policore”, ka thënë ai.
I pyetur nga Gazeta Blic se a mund të ketë arrestime të deputetëve, të cilëve iu është lëshuar fletë-arresti, ai ka thënë se që në çastin që takohen nga policia, ata do të arrestohen.
“Policia e Kosovës është e obliguar në zbatimin e fletë-arresteve të ligjshme të lëshuara nga organet e drejtësisë dhe është në realizim e sipër të fletë-arresteve tjera për personalitetet që kërkohen dhe në momentet kur takohen të njëjtit, do të sillen në Prokurori ashtu siç parashihet në fletë-arreste”, ka përfunduar zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani.
Ky është mendimi i qytetarëve për protestën!
Gazeta Blic ka realizuar edhe një ankete online, me ç’rast kanë shprehur qëndrimet e tyre rreth 61 qytetarë të Kosovës (lexues të kësaj Gazete). 47.5 % e qytetarëve që i janë përgjigjur anketës, janë shprehur të mendimit, se Opozita po organizon protestë për të mirën e vendit. Ndërsa, 39. 3 % e tyre, kanë vlerësuar se opozita po e bën kete për interesa të veta.
Ndërsa, ndonëse 47.5 % 61 qytetarëve që i janë përgjgjur anketës kanë thënë se protestat po organizohen për të mirën e vendit, në pyetjen e radhës se a duhet ndërruar qeveria, nga totali i këtyre anketuesve, 44. 8 %, kanë mohuar këtë gjë, përderisa vetëm 43.1% e tyre, kanë pohuar të kundërtën, se opozita duhet të vijë në krye të qeverisë. Nga ana tjetër, 12.1 % janë shprehur labil rreth kësaj çështjeje, duke mos qenë te vendosur për këtë.
Nga ana tjetër, 12.1 % janë shprehur labil rreth kësaj çështjeje, duke mos qenë te vendosur për këtë. Përkundër kësaj, edhe pse shumica e të anketuarve kanë mohuar se qeveria duhet ndërruar, të njëjtit, me 45. 9 % janë deklaruar se do t’i bashkohen opozitës në protestë, përderisa 31.1 % e tyre e kanë mohuar një gjë të tillë, 11.5% kanë ofruar përgjigje labile, duke mos e përjashtuar asnjërën mundësi, dhe 11. 5 %, kanë thënë se as që iu shkon mendja që të dalin.
Përndryshe, kjo është protesta e radhës që opozita po e organizon, pas asaj të 18 nëntorit, në të cilën situata pati eskaluar, me ç’rast u patën lënduar disa persona dhe disa të tjerë u patën arrestuar.
Partitë opozitare kanë vendosur që me çdo kusht t’i zhbëjnë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel (për Asociacionin e Komunave Serbe dhe atë për Demarkacionin me Malin e Zi), qoftë me protesta apo bllokim të Kuvendit, siç patën vepruar disa herë (me gaz lotjesllës, filikaça, etj).
Ndërkaq, Opozita ka paralajmëruar sërish bllokim të Kuvendit në seancën e radhës, e cila është caktuar të mbahet këtë të hënë.