Lajmet e fundit

Protestat mund të kalojnë në luftë civile

Njohësit e rrethanave politike në vend theksojnë se thirrja e protestave nga ana e opozitës për të kundërshtuar Marrëveshjet kundër Asociacionit dhe Demarkacionit duhet të mendohet mirë, për shkak të pasojave që mund të kenë. Ata theksojnë se secili subjekt pavarësisht pozitës apo opozitës duhet të ketë kujdes për veprimet që ndërmarrin.

Përderisa po vazhdon kundërshtimi i opozitës ndaj marrëveshje për asociacion dhe demarkacion në forma të ndryshme, ata ende nuk kanë bërë thirrje zyrtare për një protestë. Njohësit e rrethanave politike në këtë situatë theksojnë se, duhet të ketë maturi për pasoja mbrapa. Drejtori i informacionit në Tribuna Channel, Agron Halitaj tha për Radio Kosovën se opozita po vepron njëkohësisht në dy drejtime, duke mbajtur të bllokuar Kuvendin e Kosovës dhe duke mbledh nënshkrime të qytetarëve kundër marrëveshjeve për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi.

“Veprimi i dytë i paraprinë hapit të tretë që mund të jenë protestat. Partitë opozitare asnjëherë nuk i kanë përjashtuar ato si opsion, dhe tash edhe publikisht kanë filluar t’i mobilizojnë anëtarësitë për dalje në rrugë”. Dhe, pavarësisht masës që mund të dal nesër në rrugë, sipas tij, organizatorët e protestës do të thirren në vullnetin e nënshkruesve të peticionit.

Halitaj konsideron se në këto rrethana janë të nevojshme ndërhyrjet nga jashtë, duke e pasur parasysh brishtësinë e situatës: “Në rrethana të tilla, pretendimi për ta arritur qëllimin duke u thirrur në emër të shumicës qytetare, mund të jetë shumë i rrezikshëm dhe nëse nuk ndërhyhet nga jashtë në uljen e tensioneve vendi shumë lehtë mund të rrëshqas në një luftë civile”, tha ai. Ndërkaq Mazllum Baraliu një tjetër njohës politik, thotë se është në dorën e subjekteve politike të vlerësojnë se kur është me e përshtatshme thirrja e një proteste për kundërshtuar diçka ose mbështetur.

“Ata duhet ta vlerësojnë mirë jo vetëm masivitetin e atyre njerëzve që eventualisht mund të përgjigjen kërkesave të tyre por edhe pasojat se çfarë mund të dalë, rezultatet edhe efektet. A janë ato më shumë pozitive apo negative. Prandaj po them është çështje e përgjegjësisë dhe e vlerësimit të momentit se si duhet të veprojë qoftë pozita qoftë opozita. Por unë mendoj se të dyja duhet të reflektojnë të bëjnë një takim të klasës politike”, tha ai. Ndërkohë AAK-së tashmë ka dhënë shenjat e para që do të ketë një mobilizim të qytetarëve për një protestë vendimtare kundër marrëveshjeve politike për asociacionin e komunave më shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi./Radio Kosova/.

Leave a Reply

Your email address will not be published.