Lajmet e fundit
Prurje të reja shkencore në Albanologji

Prurje të reja shkencore në Albanologji

Në Prishtinë ka nisur konferenca shkencore ndërkombëtare “Java e Albanologjisë” në të cilën po marrin pjesë rreth 150 studiues-albanologë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Kroacia, Turqia.  Ky aktivitet organizohet për herë të katërt nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe në  të bëhet prezantimi i rezultateve njëvjeçare të albanologëve nga vendi dhe bota.

Me rastin e hapjes së kësaj ngjarjeje, raporton kultplus, drejtori i Instituti Albanologjik të Kosovës, Hysen Matoshi, deklaroi se kultura si tërësi e arritjeve të përgjithshme dhe historia si tërësi e fakteve e ngjarjeve janë dy përbërësit identitar në jetën e secilit komb.

“Këto dy dimensione të veçantisë kombëtare i ka edhe kombi ynë shqiptar. Pavarësisht kontekstit kulturor që është tejet plural si rezultat i ekzistimit ndërmjet prurjeve të orientit dhe aksidentit janë ruajtur shenjat kryesore të identitetit të kulturës shqiptare, ndonëse metamorfozave të shpeshta historike të gadishullit ballkanik, e kaluara e shqiptarëve ka lënë gjurmë të qarta të ekzistencës koherente në këtë hapësirë.” ka pohuar para të pranishmëve drejtori Matoshi.

Konferencën e përshëndeti edhe Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja.

Valter Memisha, drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë, ka deklaruar se kjo konferencë përkon me 60 vjetorin e themelimit të Institutit Albanologjik dhe se tashmë është institucionalizuar si veprimtari e punës shkencore.

“Tematikat në këtë vit jubilar janë përzgjedhur me kujdes dhe lidhen me tregimet kryesore të punonjësve shkencor të degëve që mbulojnë institutin si dhe me sfidat me të cilat përballet sot shkenca albanologjike. Duke parë arritjet e vlerësuara të Institutit Albanologjik të Prishtinës, të realizuara në rrugëtimin 50 vjeçar që mishërojnë hartimin e qindra veprave të plota apo të mijëra artikujve, për të argumentuar shkencërisht vazhdimësinë historike të shqiptarëve në këto troje, për të mbrojtur homogjenitetin e pandalshmërinë e tyre si komb edhe pse historia i ndau në gjashtë shtete, kjo konferencë do t’i kurorëzojë me suksese këto punime”, ka thënë Memisha.

Kjo konferencë do të sjellë prurje të reja nga akademikët e shquar shqiptarë si Rexhep Qosja, Idriz Ajeti, Fehmi Agani, Anton Çeta dhe nga disa të tjerë. Në kuadër kësaj konference shkencore do të marrin pjesë edhe studiuesit e njohur si Dalibor Jovanovski nga Universiteti i Shkupit, Igor Despot, studiues kroat, Mehmet Allkan nga Universiteti i Stambollt si dhe Muhamet Mufaku nga Jordania.

Në ditën e parë të konferencës me kumtesa janë paraqitur një varg studiuesish të degës së gjuhësisë shqipe si akademik  Jani Thomai, Emil Lafe, Shefkije Islamaj, Xhevat Loshi, Tomor Osmani, Valter Memish, Ragip Mulaku dhe disa të tjerë, të cilët kanë trajtuar temën “Shqipja në rrethanat e sotme sociolinguistike dhe sociopolitike”. Paralelisht me këtë po mbahet edhe seancat në fushën e folklorit “Mendimi teorik në folkloristikën shqiptare”.

Në ditën e dytë të konferencës studiuesit e letërsisë do të paraqiten me kumtesat e tyre në temën ”Letërsia shqipe mes dy luftërave botërore”, ndërsa në fushën e etnologjisë do të trajtohet “Përditshmëria, tradita dhe moderniteti”. Në ditën e fundit studiuesit e fushës së historisë do ti shpalosin rezultatet e punës shkencore në kuadër të temës “Shqiptarët, fqinjët dhe fuqitë e mëdha në rrjedhat e historisë”. Sipas organizatorëve, në fund të konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, do të botohen të gjitha kumtesat të cilat do të jenë në dispozicion të opinionit të gjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.