Partia Socialdemokrate e Kosovës sot ka mbajtur takimin e zgjeruar me kryetarët e degëve nga komunat ku u diskutua për gjendjen aktuale politike në Kosovë të krijuar muajve të fundit për shkak të kundërshtimit të opozitës ndaj dy marrëveshjeve të arritura mes Qeverisë së Kosovës me Serbinë dhe Malin e Zi.
“Burgosjet spektakël të deputetëve të opozitës janë të papranueshme për Socialdemokratët e Kosovës”, thuhet në komunikatën e PSD-së dërguar medieve.
Në takim kryesia e PSD-së ka konkluduar se bllokimi i punës së Kuvendit të Kosovës është lojë e rrezikshme që shkakton ngecje dhe pengim të ecurive demokratike në institucionin më të lartë në vend. Sipas PSD-së, bllokimi i Kuvendit do të sjell shumë pasoja, jo vetëm brenda vendit dhe jo vetëm momentale.
PSD ka kritikuar edhe qasjen e Qeverisë ndaj opozitës, pasi sipas saj, ajo po i përgjigjet me dhunë opozitës duke e përdorur aparatin shtetëror, ndërsa i ka dhënë të drejtë opozitës në veprimet e saj jo të dhunshme, siç është peticioni kundër Asociacionit të Komunave Serbe.
Më poshtë gjeni komunikatën e plotë të PSD-së lidhur me takimin që partia ka organizuar sot:
Kryesia e Partisë Socialdemokr ate të Kosovës, në takimin e zgjeruar me kryetarët e degëve komunale, ka diskutuar shtruar për gjendjen aktuale politike të vendit në këta muajt e fundit dhe ka vlerësuar se situata politike gjendet në krizë të thellë si pasoj e bllokimit të punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës. Janë përcjell dhe analizuar edhe faktorët që kanë sjellë deri te kjo krizë politike.
Kjo Kryesi e vlerëson të gabuar dhe gjykon si lojë të rrezikshme bllokadën e shkaktuar në Kuvend. Pretekst u bë nënshkrimi nga qeveritaret i dy marrëveshjeve, asaj për Themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Bllokimi si veprim është jodemokratik sepse për pasojë shkakton ngecjen dhe moszhvillimin e proceseve demokratike, në institucionin më të lartë ligjdhënës të shtetit që rrezikon të sjellë shumë pasoja, jo vetëm brenda vendit dhe jo vetëm momentale.
Është e vërtet se shumica i përcakton politikat, por kjo shumicë ka edhe përgjegjësinë më të madhe për këtë bllokim të institucioneve më të larta shtetërore dhe të tërë proceseve demokratike në vend. Në këtë rast, asaj edhe i shtohet përgjegjësia ngase nuk ishte transparente, as me opozitën as me qytetarët e Republikës së Kosovës. Madje qeverisja e keqe dhe me shumë defekte e tyre ka qenë prelud i tërë asaj që e kemi sot. Inatet personale dhe kokëfortësia me arrogancën e theksuar nuk janë mjete të zgjidhjes së problemeve politike, përkundrazi janë katalizator të shtimit të tyre, sidomos në ambientin dhe rrethanat tona.
Në vend të ofrimit të dialogut Qeveria dhunës së opozitës po i përgjigjet me dhunë nga aparati shtetëror. Ani pse, askush nuk ka të drejtë ta bllokojë Kuvendin me mjete të dhunshme, si gaz lotësjellës dhe mjete tjera të dhunshme, prandaj as opozita. Opozita në demokracitë e mirëfillta, betejën e saj për interesa më të mëdha të vendit dhe qytetarëve të saj, e zhvillon me mjete politike e demokratike, duke dhënë argumente dhe alternativa të reja, e jo me mjete të papranueshme, për opinionin e brendshme dhe atë ndërkombëtar. Por, për këtë gjithnjë duhet të jetë e gatshme edhe pala tjetër. Shumica e cila i ka votat e mjaftueshme për vendosje nuk do të duhej të jetë aq e padurueshme dhe gjaknxehtë.
Opozita ka një vistër të drejtash legjitime të civilizuara të kundërshtimit kur nuk pajtohet. Pos tjerash, Mbledhja e nënshkrimeve të qytetarëve ishte një nga ato.
E kaluara jo fort e largët na mëson së dhuna e nxitë dhunën. Burgosjet spektakël të deputetëve të opozitës janë të papranueshme për Socialdemokratët e Kosovës. Por, gjithashtu janë të papranueshme edhe qasjet e këtyre deputetëve dhe e shumë zyrtarëve tjerë të lartë ndaj zbatimit të ligjeve. Ani pse këto ligje i kanë aprovuar vet. N uk mund të justifikohet mos përgjigjja e tyre ftesave dhe vendimeve të organeve të gjyqësisë.
Kryesia e PSD-së, është e bindur se situata e krijuar kohëve të fundit në mes të pozitës dhe opozitës mund të tejkalohet vetëm me dialog demokratik në mes tyre, pa inate dhe pa paragjykime, të cilat vetëm sa do ta thellojnë dhe acarojnë krizën politike dhe institucionale. Mbledhja e fundit e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke e përjashtuar opozitën nga vendimmarrja, ishte tragjikomike, pra jo demokratike dhe e papranueshme. Për këtë, të dyja palët, duhet të veprojnë me arsye dhe vetëdije të lartë, sepse kanë përgjegjësi.
Të dyja palët, si pozita, ashtu edhe opozita, kanë përgjegjësi ndaj votuesve dhe shtetit të Kosovës. Prandaj, duhet të veprojnë në përputhje me këtë përgjegjësi. Askush nuk duhet të harroi së Shteti nuk është pronë e qeveritarëve dhe as e partive politike. Ky shtet është fit uar me shumë përpjekje, mund, vuajtje e sakrifica shekullore.
Grumbullimi i problemeve sociale, padrejtësitë e panumërta në ndarjen e të mirave të këtij vendi, që kryesisht është pasojë e privatizimit më të keq të mundshëm, pastaj korrupsioni tejet i lartë, gjyqësia selektive dhe joefikase, e tani së fundi edhe kriza gjithnjë e me e theksuar politike, mund të kalojnë në pakënaqësi të përgjithshme e të pakontrollueshme me pasoja fatale.
Shtrohet pyetja së çka duhet bërë? Ne konsiderojmë së zgjidhja e vetme është ulja në dialog pa kushte deri në gjetjen e rrugëdaljes nga kjo situatë. Dialogu nënkupton edhe tolerancë nga të dyja palët.