Në kuadër të vizitës që po u bënë institucioneve gjermane të punësimit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Arban Abrashi dhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike Industriale të Thuringenit, ranë në ujdi për inicimin e pilotprojektit për aftësimin e një numri të rinjsh nga Kosova, në kompanitë industriale në këtë land.
Pilotprojekti pritet t’i hapë rrugë dërgimit për punë të përkohshme të një kontingjenti më të madh të të rinjve në të ardhmen.
Abrashi i informoi përfaqësuesit e Odës Ekonomike Industriale të Thuringenit, që të rinjtë nga Kosova kanë potencial, prirje, motivacion dhe shkathtësi të mëdha në teknologji, në mësim të gjuhëve dhe shkëmbime kulturore dhe mu për këto përparësi, përvoja në kompanitë gjermane do të kthehet në një investim të mirë të përbashkët për të ardhmen e tyre dhe të Kosovës.
Gjatë kësaj vizite, ministri Abrashi në Berlin takoi sekretarin Shtetëror të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Z. Jörg Asmussen, përfaqësues të Odës Federale Artizanale dhe përfaqësues të institucione tjera, me të cilët diskutoi format dhe mundësitë e konkretizimit të bashkëpunimit në aftësimin profesional dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale, që do të shpinin në përgatitjen e një fuqie punëtore të shkathët, të kualifikuar dhe produktive në Kosovë.