Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave të Ferizajt, të cilët çdo të hënë tubohen në sheshin e qytetit “Adem Jashari” në Ferizaj, ditë më parë kanë marrë vendim që sot të mbajnë edhe një protestë para Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP).
Në njoftimin për media thuhet se kjo është protesta e 130 që po mbajnë, në kërkim të të drejtave të tyre. Punëtorët kërkojnë zbatimin e vendimit të gjykatave, sipas të cilëve u njihet e drejta e kompensimit për vitet sa kanë qenë të dëbuar nga puna, gjatë masave të dhunshme, duke llogaritur në këtë mes edhe kamatat.
“Kërkesë e jona e vetme është që Bordi i AKP-së të marr vendimin për lejimin e mjeteve të nevojshme për pagesën e borxhit, sipas Udhëzimit të Dhomës së Posaçme të datës 30 maj 2014 dhe datës 13 qershor 2014”, thuhet në njoftimin e ish-punëtorëve të kësaj fabrike. /Telegrafi/