Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK) në bashkëpunim me Fondacionin e Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF), ka organizuar punëtori për edukimin e vazhdueshëm profesional të këtyre ndërmarrjeve, njofton kumtesa nga kjo shoqatë .
Punëtoria ka filluar më 16 shtator dhe do të zgjasë për tre ditë deri më 18 shtator, 2015 në Hotel Amazona, Kosovë.
Kjo ngjarje ka për qëllim krijimin e kapaciteteve në mesin e kontabilistëve dhe auditorëve të Kosovës dhe rajonit për të implementuar këto standarde. Pjesëmarrësit e punëtorisë janë përfaqësues të organizatave prestigjioze si të Bankës Botërore, USAID-it, Universiteteve si dhe Shoqatave Profesionale nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i zi, Bosnja, dhe Serbia.
Michael Wells, njëri nga ligjëruesit është bashkë-krijues i SNFR-ve për NVM, prandaj ShKÇAK ka konsideruar si thelbësore që njohuritë dhe përvojat e tij të përcillen tek anëtarët dhe bashkëpunëtorët e ShKÇAK për herë të parë në Kosovë.
Për më tepër, Z. Michael Wells është Profesor i Asocuar në departamentin e raportimit financiar pranë Universitetit të Afrikës së Jugut si dhe Udhëheqës i Iniciativës për Edukim të Fondacionit SNK/SNRF. Ndërsa, Znj. Elizabeth Buckley është Menaxhere Projekti e Iniciativës për Edukim të Fondacionit SNK/SNRF.
“Punëtoria i dedikohet kontabilistëve, auditorëve, mësimdhënësve të kontabilitetit dhe ligjvënësve mënyrë që ti pajisë me njohuritë që përkojnë me standardet ndërkombëtare të raportimit financiar. Kjo ndihmon mbarëvajtjen e bizneseve, llogaridhënien, si dhe zhvillimin ekonomik të vendit në afat të gjatë”, theksoi Shaban Muharremi, Kryetar i Këshillit të ShKÇAK.
ShKÇAK vazhdon të bashkëpunojë me organizata ndërkombëtare duke iu përgjigjur nevojave të tregut të Kosovës si dhe rajonit në fushën e kontabilitetit dhe auditimit si dhe fushat që lidhen drejtpërdrejt me këto.