Lajmet e fundit

Punëtoritë e animacionit, si edukim për fëmijë

Shoqata e tyre është një nga pesë të vetmet në Itali, me të cilat synojnë që të edukojnë fëmijët mbi animacionin. Përvojën e tyre, përmes shoqatës “OTTOmani” e kanë sjellë edhe në Kosovë.

Me punëtoritë që kanë mbajtur me fëmijët, kanë realizuar filmin e metrazhit të shkurtër “Speca Dollma”, mbi idenë e punëtorisë për krijimin e një recete ushqimore tradicionale shqiptare. Po kështu është realizuar dhe një projekt ku janë eksploruar rrugët e Pejës me një top. “OTTOmani” ka mbajtur punëtori në Pejë në kuadër të Festivalit të animacionit “Anibar”.

Roberto Paganelli, artist italian së bashku me shoqatën e tij “OTTOmani”, qëndrimin e tij në Pejë e ka cilësuar si diçka shumë emocionuese dhe të veçantë.

“E gjithë puna dhe qëndrimi në Pejë ishte një përvojë e bukur, por mbi të gjitha ishte një mundësi për të takuar persona shumë të veçantë”, është shprehur Paganelli, i cili në dy vitet e fundit së bashku me shoqatën e tij “OTTOmani” kanë hapur punëtori në festivalin e filmave të animuar “Anibar”.

“Si fillim kolegu Andrea Martignoni ishte ftuar si anëtar i jurisë në festivalin e animacionit ‘Anibar’ për edicionin e vitit 2012, ndërsa vitin e pasues hapëm punëtori për të rinjtë dhe fëmijët në Pejë”, ka thënë Paganelli, i cili gjatë asaj kohe ishte mahnitur nga mosha e re e stafit të “Anibarit”. “Si dhe nga pozitiviteti dhe ngrohtësia e vullnetarëve, që të gjithë shumë të rinj. E krijuam ndjesinë se ‘Anibari’ është një ngjarje me rëndësi shumë të madhe për qytetin e Pejës, një mundësi shumë e mirë për të zhvilluar kulturën”, ka thënë artisti duke cekur se një nga idetë e punëtorisë ishte krijimi i një recete ushqimore tradicionale shqiptare në formë të një filmi të shkurtër të animuar. “Këtë film të shkurtër e quajtëm ‘Speca Dollma’ dhe realizimi i këtij filmi ishte shumë emocionues sepse të gjithë ishin shumë të përkushtuar për të realizuar projektin. Filmi gjithashtu u shfaq në natën finale, ku fëmijët të cilët e kanë realizuar këtë film të shkurtër e shfaqën para publikut me mjete të kuzhinës”, ka thënë Paganelli, i cili u ftua edhe në edicionin e vitit 2015 të “Anibarit” për të realizuar një punëtori.  “Këtë herë së bashku me kolegen time Katya Rinaldi u kemi kërkuar vullnetarëve të rinj të bëjnë një projekt ku do të eksploroheshin rrugët e Pejës me një top.

Shfaqja e filmit në natën finale para prindërve dhe të gjithë publikut ishte diçka shumë prekëse”, është shprehur Paganelli, duke shtuar se interesimi i tij mbi filmat fantastikë dhe përvoja sa i përket edukimit filmik, ka bërë që të hapë shoqatën “OTTOmani”.

“Në fund të studimeve kam filluar të merrem me art, kështu duke gjetur një mënyrë që përmes gjuhës së filmave të mësojë fëmijët dhe të rinjtë për artin dhe në vitin 2006 së bashku me kolegen time Michaela Donini e krijuam asociacionin ‘OTTOmani”, ka treguar Paganelli, duke cekur se kanë filluar të punojnë në mënyrë të thjeshtë, duke përdorur materiale të thjeshta. “Kështu duke nxjerrë magji nga gjëra shumë të thjeshta përmes teknikës së animacionit”, ka thënë artisti shoqata e të cilit bashkëpunon me animatorë dhe edukatorë të ndryshëm. “Filluam të bashkëpunojmë me animatorë, edukatorë dhe dizajnerë zërimi të cilët japin ide të reja dhe të ndryshme për punëtorinë “Sassopasso”, ka thënë Paganelli, duke shtuar se arsyeja e hapjes së kësaj shoqate ka qenë krijimi i projekteve të cilat mund të zbatoheshin në punëtori animatore për fëmijë dhe të rritur. “Çdo punëtori është një mundësi për të takuar një grup të ri të personave në një kontekst të veçantë. Për ne është e rëndësishme që të respektojnë këtë unitet kështu që jemi duke punuar për të krijuar një koncept të ri punëtorie. Çdo projekt nga punëtoria jonë krijon filma të animuar të shkurtër origjinal, dhe gjithmonë dallojnë nga njëri-tjetri”, ka thënë artisti, duke shtuar se është e vështirë të flasësh për sukseset e shoqatës.

“Jemi një nga organizatat (që jemi vetëm pesë) në Itali të cilat operojnë për të realizuar programe edukative duke përdorur teknika të animacioneve dhe institucionet zyrtare italiane nuk përfillin dhe respektojnë punën që bëjmë”, është shprehur Paganelli, derisa thotë se edhe Komitetit Evropian në vitet e fundit po jep më pak fonde për organizata të vogla si “OTTOmani” të cilat bëjnë projekte eksperimentale dhe jo-konvencionale në arsim.

“Përpos këtij problemi ekziston dhe një anë e mirë, mund të them që jemi shumë të lumtur sepse deri më tani kemi realizuar projekte të ndryshme në bashkëpunim me shkrimtarë dhe edukatorë të cilët na kanë mundësuar të realizojmë projekte edukative dhe artistike duke përdorur materiale dhe duke eksploruar hapësira në aspektet e zërimit, hulumtime mbi hapësirat urbane dhe interpretime vizuale mbi kujtime historike”, ka thënë Paganelli sipas të cilit promovimi i filmave të shkurtër të animuar në festivale internacionale u ka mundësuar që të krijojnë kontakte dhe partneritete me festivale të ndryshme në të gjithë Evropën. “Qe disa vite punimet e ‘OTTOmani’ i shfaqim në festivale të filmave të animuar si në Francë, Gjermani, Slloveni, Kroaci, Poloni dhe në dy vitet e fundit në Kosovë. Në një farë mënyre jemi më të njohur jashtë Italisë”, ka thënë Paganelli duke cekur se punëtoritë e tyre lënë shumë mundësi për vetë-shprehje të të rinjve ose fëmijëve që janë të përfshirë në to.

“Ne japim një skemë të caktuar por në përgjithësi kemi dëshirë që të befasohemi nga idetë e grupit, në një mënyrë aq më shumë që na befasojnë të rinjtë me idetë e tyre aq më mirë realizohet punëtoria”, ka treguar Paganelli, duke shtuar se përdorin më shumë animacionin e objekteve, sepse kjo është një teknikë e shpejtë dhe befasuese. “Objektet e animuara tregojnë se gjithçka mund të animohet dhe mund të shndërrohet në karaktere të gjalla. Animimin i objekteve veprimtarinë e tërë punëtorisë e sjell në kontakt me situatën lokale, duke zgjedhur materiale lokale”, është shprehur Paganelli sipas të cilit ndër projektet më të preferuara janë animimi i ushqimeve tradicionale, siç është parë në edicionin e Festivalit të Animacionit “Anibar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.