Deputetët e Kuvendit të Kosovës po e përfundojnë një muaj pa mbajtur seancë dhe ende nuk e dinë se kur do të mblidhen për herë të parë për këtë vit.
17 dhjetori ka qenë dita kur deputetët u mblodhën për herë të fundit vitin e kaluar për ta dëgjuar fjalimin vjetor të Presidentes Atifete Jahjaga dhe më pas, në një seancë të veçantë votuan bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Driton Lajçi, këshilltar i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, tha se deri të hënën, Kuvendi i Kosovës është zyrtarisht në pushim.
“Pas datës 18 kryetari do ta thërrasë kryesinë e Kuvendit dhe do të vendoset për seancën e radhës”, tha Lajçi për KALLXO.com.
Ndërsa Xhavit Haliti, anëtari i kryesisë së Kuvendit tha se ata ende nuk kanë marrë ndonjë thirrje në lidhje me takimin e kryesisë.
“Ne ende nuk jemi njoftuar… Sekretari i Kuvendit e ka këtë punë me ju njoftu, ata duhet ta dinë”, tha Haliti.
Njëjtë u deklarua edhe anëtarja tjetër e kryesisë, Aida Dërguti.
“Mua s’më ka njoftuar askush se kur do të ketë një takim të tillë, unë nuk di asgjë”, tha ajo.
Ndërsa Ismet Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, tha se njoftimi për mbledhjen e kryesisë së Kuvendit të Kosovës do të dalë në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës atëherë kur të vendoset për këtë.