Arban Abrashi, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës njëherësh edhe ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale u shpreh se kauza politike e opozitës nuk po gjen hapësirë te qytetarët dhe kjo sipas tij, është parë në dy protestat e fundit të tyre. Ai tha se opozita po synon ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, “por kjo është e papranueshme”.
Abrashi theksoi për Top Channel se Qeveria është e vendosur të shkojë përpara dhe synimi i saj është që deri në fund të mandatit të përfundojë të gjitha çështjet e hapura me Serbinë.
Duke komentuar ngjarjet në Parlamentin e Kosovës: goditjet me vezë, përdorimin e gazit lotsjellës, Abrashi tha se “pamjet janë të këqija, këto imazhe nuk i duhen Kosovës”.
“Ne besojmë që Kosova gjatë këtij viti ka bërë përparime të mëdha. Shpesh po përmendet fjala bllokadë, por në fakt është një uzurpim i Kuvendit. Kjo sjellje është jo civilizuese dhe jo demokratike dhe vandale. Ne si qeveri e kemi bërë të qartë se të gjitha shqetësimet e opozitës ose dikujt tjetër ne do t’i trajtojmë dhe vendi më i mirë për t’i trajtuar ato është Kuvendi. Pas pushimit të verës, në seancën e parë ne kemi kërkuar të diskutojmë të gjitha marrëveshjet, por kjo nuk është lejuar. Kjo tregon se opozita nuk e ka për qëllim debatin rreth këtyre çështjeve, por ka për qëllim bllokadën dhe uzurpimin e Kuvendit”, tha Abrashi dhe shtoi se opozita po tento të shtyjnë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
I pyetur se a do të ketë një ftesë për opozitën për t’u ulur për të diskutuar, Abrashi për TCH tha se bëhen thirrje të rregullta që këto shqetësime t’i trajtohen në Kuvend. Por, siç tha, edhe opozita është në presion kohor dhe nuk po zgjedh mjete që të arrijë qëllimin e saj. “Ideja jonë është që deri në fund të mandatit të mbyllim të gjitha çështjet e hapura me Serbinë dhe kështu që kauza e opozitës bie poshtë”.
Në konstatimin nëse ka dështuar Kuvendi i Kosovës në arritjen e masave të sigurisë, Abrashi: tha se “realisht beteja e opozitës ka marrë përmasa shqetësuese”. Madje, sipas tij, ajo është bërë gjithëpërfshirëse.
“Fatkeqësisht një ditë më parë, përmes zëdhënësit të tyre, ata kanë marrë një vendim ku zyrtarët e lartë publik, cilido që ata mendojnë se ka qenë i përfshirë në një ekip negociator, tani sipas tyre nuk kanë as jetë private. Unë doja të thosha që nuk është një person, por është e tërë qeveria, e tërë shoqëria e hapur. Sa i përket masave të sigurisë, unë mendoj se zyrtarët e sigurisë kanë bërë të pamundurën.
Edhe unë kam kaluar sot në sistemet e kontrollit, madje edhe Presidentja, por si duket gazi lotsjellës është futur më herë ose me ndonjë mënyrë tjetër. Unë mund ta quaja këtë si një dështim të opozitës për të bllokuar jetën institucionale, por besoj se kjo është e përkohshme sepse ne jemi të vendosur të vazhdojmë përpara”, u shpreh Abrashi.