Parashikimet e Qeverisë së Kosovës për rritje ekonomike në mbi 4 për qind nga ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë konsiderohet e dhënë ambicioze dhe vështirë e arritshme. Në projekt buxhetin e vitit 2014 të aprovuar nga Qeveria e Kosovës është parashikuar se rritja ekonomike për tri vitet e ardhshme do të jetë më e larta në rajon dhe atë mbi 4.6 për qind.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se projeksionet e Qeverisë së Kosovës për rritje ekonomike shumë herë kanë dështuar të arrihen. “Janë një vlerësim tepër ambicioz i cili jep shpresë që në Kosovë do të ndodhin mrekulli, investime të shumta dhe ne do të kemi një rritje të gjithëmbarshme ekonomike duke qenë lider në regjion dhe në vendet evropiane. Por, krahasuar me vitet që lëmë pas, rritjet nuk kanë dalë asnjëherë të parashikuara, kemi pasur më pak rritje nga ato që janë parashikuara”, shton Shahini.
Me rritjen ekonomike që ka Kosova nuk arrihen të adresohen problemet thelbësore të papunësisë dhe varfërisë. Ndërsa, për të pasur një zhvillim më të madh ekonomik që do të bënte Kosovën të krahasohej me vendet e rajonit, thuhet se rritja ekonomike duhet të jetë 10 për qind.
Rritjes ekonomike në Kosovë vazhdimisht i kishin kontribuar investimet që ishin bërë nga sektori publik, derisa sektori privat shprehur në përqindje kishte kontribuar shumë pak në rritjen ekonomike të vendit.
Shahini thekson se rritja ekonomike në planet qeveritare duhet të fokusohet dhe të kalon krejtësisht në duart e sektorit privat. “Nëse ndryshohet qasja ndaj sektorit privat, nëse do të kemi reforma esenciale për ekonominë dhe biznesin e Kosovës do të marrim pjesë në këtë rritje dhe kjo mund të jetë edhe më e lartë, por ne nuk mund t’i vlerësojmë tash parashikimet kjo mund të arrihet nëse punohet më shumë më shume, e kjo nëse nuk ndodh atëherë mbeten vetëm premtime dhe nuk do të arrijmë këtë rritje të parashikuar”, thekson ai.
Rritja ekonomikë e parashikuar nga Qeveria e Kosovës për tri vitet e ardhshme prej 4.6 për qind, sipas ekspertit të çështjeve ekonomike Ismajl Kastrati, mund të arrihet vetëm nëse bëhen reforma të duhura ekonomike dhe përkrahet sektori i prodhimtarisë.
“Nëse qeveria e mbështet sektorin e bujqësisë me grante dhe donacione përkatësisht subvencione e ndihmon edhe ekonominë e vogël, krijon një ambient më të mirë zhvillmi, me siguri se mund të arrihet ajo përqindje”, thotë Kastrati.
Kastrati, gjithashtu si problematikë në rritjen ekonomike të Kosovës e sheh faktin se rritja ekonomike mbështetet kryesisht nga investimet që bëhen nga sektori publik.
Sipas tij, kjo rritje nuk mund të jetë e qëndrueshme. “Rritjen ekonomike, Kosova e ka të mbështetur në investimet në sektorin publik që nuk kanë efekt të qëndrueshëm, kanë efekt të momentit e jo të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, por unë mendoj që rritja reale ajo që duhet të mbështes është rritja e sektorit të ekonomisë së vogël dhe të mesme si dhe në sektorin e bujqësisë”, pohon Kastrati.
Norma e rritjes ekonomike në Kosovë në vitin 2012 ishte vetëm 3.8 për qind, përderisa gjatë vitit 2011 ishte 5 për qind.
Në vitin 2013 rritja ekonomike sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, nuk do të jetë më shumë se 3 për qind. /Rel