Lajmet e fundit

Qeveria dënon sulmin ndaj Muraet Mehës

Qeveria e Kosovës e dënon ashpër sulmin me vezë kundër Murat Mehës, kryesues i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.

Në reagimin e Qeverisë thuhet se “aktet e ulëta dhe të dhunshme të kryera nga aktivistët e tre partive opozitare, të cilët po hedhin ‘molotovë’ mbi policët dhe institucionet e vendit, po dëmtojnë pronat private dhe po lëndojnë qytetarët dhe gazetarët, janë veprime që kanë për synim zhytjen e vendit në anarki, duke mos kursyer tashmë as jetën dhe shëndetin e njerëzve”.

“Pas djegies së planifikuar të institucioneve një ditë më parë, tashmë aktivistët e tre partive po sulmojnë qytetarët e vendit me qëllim që të mbjellin frikë dhe mundësisht të provokojnë reagime dhe konflikte ndërmjet qytetarëve të vendit”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Qeveria fton qytetarët që të mos bien pre e këtyre provokimeve, por që të bashkuar të refuzojnë skenarët e errëta të cilët po synojnë t’i zhbëjnë të gjitha sukseset e arritura në Kosovë për dekada të tëra, me të vetmin qëllim realizimin ambicieve politike.

Qeveria e Kosovës gjithashtu fton organet e rendit që të marrin masa për kapjen e kryesve të këtyre sulmeve qyqare dhe parandalimin e përsëritjes së veprime të tilla të ulëta, të dirigjuara nga selitë e tre partive opozitare.

“Qeveria e Republikës së Kosovës me këtë rast shpreh vendosmërinë e saj të plotë, për të punuar në realizimin e synimeve të qytetarëve të Kosovës për zhvillim ekonomik dhe integrime evropiane, me mbështetjen e qytetarëve të vendit dhe në partneritet të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian”, thuhet në reagim.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.