Lajmet e fundit
Qeveria dorëzohet për privatizimin e PTK-së

Qeveria dorëzohet për privatizimin e PTK-së

Qeveria e Kosovës nuk e pret asnjë të hyrë nga privatizimi i 75 për qind të aksioneve të PTK-së në buxhetin e vitit 2014. Burime të sigurta të gazetës bëjnë të ditur se në buxhetin për vitin 2014 të miratuar javën e kaluar nga Qeveria e Kosovës nuk janë planifikuar të hyra nga shitja e PTK-së, edhe pse kjo ndërmarrje është në proces të privatizimit.

“Privatizimi i PTK-së nuk ka hyrë në Ligjin për Buxhetin 2014, sikurse që nuk janë paraparë as të hyrat nga shitja e kësaj ndërmarrje”, ka thënë burimi. Ky veprim i qeverisë nga njohësit e ekonomisë shihet si dorëzim në dështimin e procesit të privatizimit të kësaj ndërmarrje. Profesori i ekonomisë, Halim Gjerjizi, thotë se sikur qeveria të ishte e sigurt në privatizimin e PTK-së, atëherë gjithsesi do të planifikonte edhe 277 milionë euro të hyra të njëhershme në buxhet nga shitja e PTK-së, shkruan Tribuna.

“Qeveria me këtë rast është vetëdijesuar, ngase nuk bën që pasurinë e vendit ta shesë me çdo kusht. Shitja nëse duhet të bëhet, atëherë ajo duhet të bëhet në momentin më të përshtatshëm për interes të vendit”, ka thënë Gjergjizi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.