Qeveria e Kosovës thotë se i kushton rëndësi të njëjtë përmbushjes së kushteve dhe konfirmon se të gjitha kriteret janë përmbushur në përputhje me udhërrëfyesin.
“Prandaj, Qeveria e Republikës së Kosovës pret që liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të bëhet realitet pa vonesa të mëtutjeshme. Qeveria e Republikës së Kosovës është në pritje të publikimit të raportit të fundit vlerësues të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, e cili duhet të pasohet me rekomandimin për liberalizimin e vizave brenda një periudhe të shkurtër kohore. Të gjitha këto veprime janë të pashmangshme dhe do të mundësojnë që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza gjatë vitit 2016”, thuhet në komunikatën e tyre.
Aty thuhet se Qeveria i ka parasysh konkluzionet që ndërlidhen me fushat prioritare për reforma, dhe përkushtohet që të zbatoj këto reforma në kontekstin e ri të integrimit evropian të krijuar me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asocim.
“Presim që ky realitet i ri të krijoj kushte të nevojshme për të dinamizuar përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian. Qeveria e Republikës së Kosovës njëherësh u bën thirrje shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së që t’i ofrojnë Kosovës të gjithë mbështetjen dhe instrumentet në dispozicion si ndihmesë për të adresuar reformat sa më shpejt të jetë e mundur. Në këtë drejtim, mirëpresim edhe thirrjen e Këshillit për të gjetur modalitete për të ecur përpara edhe me nënshkrimin e marrëveshjes kornizë për të mundësuar qasjen e Kosovës në Programe të BE-së”, thuhet në komunikatë.
Qeveria thotë se gjithashtu vlerëson thirrjen e Këshillit për të tejkaluar situatën e krijuar nga partitë opozitare dhe dënimin e dhunës dhe pengesës së punës së Kuvendit, si dhe rithekson qëndrimin që kjo situatë duhet të zgjidhet përmes një dialogu institucional në mënyrë që të ketë një fokus në zbatimin e reformave evropiane.