Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ka dërguar një raport në Bruksel për shkallën e zbatimit të marrëveshjeve të arritura me Serbinë.
Sipas komunikatës së Zyrës për Informim Publik në Kryeministri, raportin e ka nënshkruar ministrja për dialog Edita Tahiri.
Në të kërkohet që Serbia ta largojë Kosovën nga kushtetuta e saj.
“Në mënyrë që zbatimi të përparojë ndjeshëm, Serbia duhet ta heqë Kosovën nga kushtetuta e saj dhe gjithashtu t’i shuajë të gjitha strukturat paralele, për të treguar qëndrueshmëri në angazhimin e saj për dialogun e Brukselit dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, siç parashihet në Kapitullin e 35 të negociatave për anëtarësim në BE,” thuhet në raport.
Raporti i marrëveshjet Kosovë-Serbi të nënshkruara me ndërmjetësimin e BE-së i klasifikon në tri grupe në ato për bashkëpunim mes dy shteteve, për normalizim të situatës në veri dhe ato që lidhen me dokumentet kosovare që Serbia i mori me vete kur u tërhoq nga Kosova në vitin 1999.
Në marrëveshjet e grupit të parë hyjnë marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit, ajo për bashkëpunimet rajonale, lirinë e lëvizjes, energjinë, telekomin, njohjen e diplomave, etj. Në grupin e dytë janë përfshirë marrëveshjet për funksionimin e katër komunave veriore nën ligjet e Kosovës, ajo për polici, drejtësi, fondin e zhvillimit, heqjen e barrikadës nga ura, largimin e strukturave paralele të Serbisë, ndërsa në të tretin marrëveshjet për kthimin e regjistrit civil dhe të dhënave kadastrale.
Qeveria në raport vlerëson se më së paku janë zbauar marrëveshjet e grupit 2 që lihen me veriun e vendit.
“Zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe vazhdimi i moslargimit të strukturave paralele serbe në Kosovë nuk korrespondojnë me qëllimet e Marrëveshjeve të Brukselit. Mbetet pikëpyetje nëse kjo mund të konsiderohet si zbatim që kemi dashur, kërkuar dhe dakorduar. Ekziston frika se për zbatimin e marrëveshjeve të fushave të tjera si drejtësia, shpërbërja e mbrojtjes civile do të pasohet me modele të ngjashme të paqarta,” vijojnë sqarimet në raport.
Raporti e kushtëzon zbatimin e marrëveshjes për asociacionin me shuarjen e strukturave të Serbisë në Kosovë.
“Kosova ka kushtëzuar themelimin e Asociacionit me largimin e plotë të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë. Kosova pohon se pasi që të konfirmohet largimi i atyre strukturave atëherë do të fillon themelimi i asociacionit,” thuhet në raport.
Fushatën e Serbisë për mospranim të Kosovës në UNESCO, raporti e vlerëson shkelje të marrëveshjeve të Brukselit.
“Mënyra e bërjes së fushatës nga ana e Serbisë që të pengojë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ka treguar jo vetëm për shkeljen thelbësore të parimeve themelore të dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve, por edhe ka zbuluar se sa larg është Serbia nga vlerat evropiane,” shpjegon raporti.