Lajmet e fundit
Qeveria me plan për Komunën e Mitrovicës së veriut

Qeveria me plan për Komunën e Mitrovicës së veriut

Qeveria parasheh që themelimi i komunës së Mitrovicës së Veriut nuk do të kaloj pa reagime dhe kundërshti. Besnik Osmani, sekretar i përhershëm në Ministrinë e Pushtetit Lokal, ka thënë se qeveria është bërë gati t’u përgjigjet reagimeve kundër themelimit të kësaj komune.

Gjithashtu mësohet se në proces themelimi është edhe fondi për veriun që pritet të funksionalizohet me përmbylljen e procesit zgjedhor në këtë pjesë.

Autoritet kosovare kanë bërë gati një plan aksional për të përmbyllur procesin e themelimit të Mitrovicës së Veriut. Kjo pritet të shënoj edhe fundin e procesit të themelimit të komunave të reja sipas Pakos së Ahtisarit.

Besnik Osmani, sekretar i përhershëm i Ministrisë së Pushtetit Lokal i ka thënë Radio Kosovës se qeveria është përgatitur të merret edhe me reagimet e strukturave që vazhdojnë të kundërshtojnë krijimin komunës së re.

“Ne parashohim reagime, ndoshta jo nga strukturat e zgjedhura, por nga grupe të tjera të interesit apo individë që vazhdojnë të jenë kundër zgjedhjeve dhe themelimit të komunës. Megjithatë Qeveria e Kosovës së bashku me autoritet e Bashkimit Evropian janë përgatitur për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve që mund të shfaqen”, ka thënë Osmani.

Osmani ka shpjeguar se plani aksional i qeverisë përfshin prej inaugurimit të komunës së re, deri te funksionalizmi i plotë i saj.

“Plani ka dy pjesë: pjesa e parë ka të bëjë me inaugurimin e pushtetit lokal atje. Ndërsa pjesa e dytë ka të bëjë me funksionalizmin e këtyre institucioneve atje. Tërë përgatitjet e mundshme janë bërë përgatitja e udhëzimeve përkatëse, njerëzit që do të punojnë dhe buxheti përkatës”, ka thënë Osamni.

Aktualisht për Mitrovicën e Veriut nga buxheti i shtetit janë ndarë 6 milionë euro plus tri grande fillestare.

Gjithashtu mësohet se me ndihmën e Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së është në proces themelimi edhe Fondit për Veriun, i paraparë sipas marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Serbisë i cili pritet të funksionoj pas procesit zgjedhor.

Dokumenti për funksionalizmin e Komunës së Mitrovicës së Veriut përfshin ndarjen e të gjitha elementeve që përcaktojnë kufijtë mes komunave. Kjo radhit regjistrat kadastral, definimin e pronësisë, regjistrat civil, rregullimin e taksave dhe financave, lejet e ndërtimit dhe të gjitha dokumentet për projektet në proces.

Në plan gjithashtu përmendet çështja e investimeve të huaja, çështjet kulturore e të sigurisë si dhe ato sociale e shëndetësore. Në çështjet arsimore sipas dokumentit është i përfshirë edhe niveli universitar që nënkupton rregullimin ligjor të Universitet të Mitrovicës.

Ajo çka nuk është definuar ende as në këtë plan, as me ligjin për gjykatat është çështja e gjykatave që bien në territorin e përcaktuar për komunën e Mitrovicës veriore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.