Anëtarët e kabinetit qeveritar e kanë miratuar vendimin e kryeministrit Thaçi për heqjen e taksave për veturat që vijnë nga Lugina e Preshevës në Kosovë. Ky vendim do të hyjë në fuqi me datën 21 të këtij muaji. Sipas kryeministrit Thaçi këtë kompensim do ta bëjë Qeveria e Kosovës ndërsa Ministria e Financave do të merret me aplikimin e këtij vendimi.
Përveç tjerash në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri Thaçi edhe njëherë ka përshëndetur të gjithë spektrin politik për fushatë të qetë dhe korrekte. Sipas tij, ajo që është parë këto ditë në fushatën elektorale dëshmon se secili nga kandidatët është zotuar të punojë për komunën dhe qytetarët.
Ndërsa kreu i qeverisë edhe njëherë u ka bërë thirrje serbëve të veriut që të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit duke thënë se edhe ata duhet të jenë pjesë e kornizës kushtetuese ligjore.