Nesër pritet që qeveria të marrë vendim për ndarje të mjeteve për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga ky vendim do të përfitojnë fillimisht rreth 800 veteranë. Këtë e tha për “KosovaPress”, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPM), Arban Abrashi.
Ministri tha se për këta veteranë janë bërë verifikimet e duhura dhe nesër në qeveri pritet të merret vendimi për ndarjen e mjeteve.
Abrashi: Fillimisht janë verifikuar 800 veteranë
“Administrata përkatëse e ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, deri të premten ka bërë verifikimin e një numri të madh të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ju e dini që ligji parasheh që ata veteran të cilët nuk kanë të hyra përfitojnë nga ky pension. Ne të premten pas dite kemi dorëzuar diku rreth 800 aplikacione të cilat janë verifikuar. Pas verifikimeve në Administratën Tatimore të Kosovës dhe në Trustin e Kosovës është verifikuar se personat në listë nuk kanë të hyra tjera, prandaj e plotësojnë kushtin themelor që ta marrin këtë pension. Ne kemi dërguar listat dhe presim nesër me nj ë vendim të qeverisë që të transferohen fondet në ministrin tonë nga ministria e Financave “, tha Abrashi.
Ai po ashtu tha se nga nesër do të fillojnë edhe procedurat e pagesave.
Abrashi: Nga nesër fillon pagesa për veteranë
“Realisht nesër këta 800 emra të verifikuar do ti marrin, ose fillojnë tu bëhen pagesa e tyre. Ne besojmë që edhe gjatë ditës së djeshme dhe sot departamenti ka bërë verifikimin shtesë dhe se është proces i vazhdueshëm. Ajo çka duhet ti tregoj edhe veteranëve edhe publikut është se ne kemi shtuar kapacitetet e ministrisë, kemi marrë praktikantë, dhe kemi punuar gjatë vikendit në mënyrë që ti verifikojmë listat, dhe ashtu siç verifikohen do të bëhen edhe pagesat”, tha Abrashi.
Ai nuk ka treguar se sa është shuma që qeveria do të ndaj në total për këtë listë të veteranëve, por tha se 170 euro është vlera e pensionit që ata do ti kenë në llogarit e tyre.
Abrashi: Nuk do ti mbesim borxh asnjë veterani
“Ashtu siç është caktuar pensioni për secilin veteranë, është 170 euro . Kjo do të jetë shuma të cilën ata do të pranojnë në llogarit e tyre. Me rëndësi që ka filluar disa qindra të paguhen dhe gjatë javëve në vijim do ti shohim gjithë të tjetër. Asnjërit nuk do ti mbesim borxh”, tha Abrashi.
Ligji për veteranët obligon qeverinë e Kosovës të ndaj mjetet financiare pasi ti kenë verifikuar listat me emrat e ish ushtarëve të UÇK-së, të cilëve u takojnë pensionet