Protestën e Opozitës, Qeveria e konsideron luftë të dëshpëruar për mbijetesë dhe përfitime politike. Madje, sipas zëdhënësit të Qeverisë, Arban Abrashi, ka dyshime serioze për prapavijën e saj.
Qeveria e Kosovës e konsideron protestën e opozitës si një tentim tjetër për përfitime të pastra politike.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi i ka thënë Gazetës Express se kjo është një luftë e dëshpëruar për mbijetesë politike, ndërkohë që ka shfaqur dyshime serioze për prapavijën e saj, pasi që, sipas tij, kauzat e deritashme të opozitës janë vërtetuar si të paqëndrueshme qoftë në aspektin juridik nga Gjykata Kushtetuese, qoftë në atë politik.
Në anën tjetër, sa i përket Asociacionit, Abrashi ka thënë vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka vërtetuar dhe detajuar kushtetueshmërinë e hapave të mëtejmë të Qeverisë në raport me Asociacionin.
“Është me rëndësi të thuhet se Gjykata Kushtuese ka sqaruar se themelimi i Asociacionit është pjesë e rendit juridik, që derivon nga Marrëveshja e Prillit 2013, e cila është votuar në Kuvend nga shumica e deputetëve të opozitës aktuale, të njëjtit njerëz që sot po e kundërshtojnë”, ka thënë në fund të përgjigjes me shkrim, Arban Abrashi.