Lajmet e fundit

Qindra familje ikin nga uria dhe sundimi i IS-it

Raportohet se qindra familje nga pjesa veriore e Irakut po largohen për shkak të urisë dhe sundimit të militantëve të Shtetit Islamik (IS) në qytetin Havija dhe territoret e afërta.

Në raporte theksohet se shumë prej tyre kanë vdekur në udhëtimet e rrezikshme, me qëllim që të arrijnë te forcat e sigurisë së Irakut, që i janë afruar qytetit Havija, pas avancimeve aktuale të militantëve të Shtetit Islamik në pjesë të tjera të Irakut.

Shefi i policisë në rajonin Havija, Fattah al-Khafaji, tha dje se familje të tëra kanë ecur për dy ditë nëpër terren malor dhe mot tejet të ftohtë, për të arritur në territorin e afërt, Al-Fatha, ku forcat e sigurisë së Irakut po i pranojnë dhe ndihmojnë familjet që janë larguar për çdo ditë gjatë javës së kaluar.

Qyteti Havija, afro 200 kilometra në veri të Bagdadit, mbetet bazë e militantëve të Shtetit Islamik, por është e rrethuar nga forcat irakiane, që po avancojnë në çdo anë.

Forcat kurde peshmera tash po mbajnë pozicione në veri dhe lindje të qytetit, derisa pjesëtarët e forcave të sigurisë së Irakut dhe luftëtarët fisnorë shiitë, po përparojnë nga jugu dhe perëndimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.