Disa qindra qytetarë sllovenë dhe kroatë, banorë pranë zonës ku janë ndërtuar barriera me tela me gjemba, në kufirin pranë dy vendeve, në formë pengese për kalimin e migrantëve, kanë protestuar sot në të dy anët e gardhit me gjemba duke kërkuar largimin e këtyre simboleve që personifikojnë poshtërimin dhe frikën, njoftoi media lokale.
“Asgjë nuk e justifikon një pengesë në këtë formë, në shekullin XXI. Ne ngremë zërin sot kundër një poshtërimi të tillë moral, simboli më i rëndë në historinë e Evropës”, sqaroi Natalija Gegorinic, punonjëse në një librari në një qytezë kroate pranë kufirit, e pranishme në protestë me familjen e saj.
Në protestën që u zhvillua në afërsi të dy pikave të kalimit të kufirit në Dragonja dhe Brezovica, një zonë rurale jo shumë larg bregdetit Adriatik, në perëndim të dy vendeve, ishin rreth 400 persona. Dy rreshtat me tela me gjemba të vendosura përgjatë kufirit javën e fundit, u instaluan nga ana e autoriteteve sllovene për të kryer një kontroll më të detajuar ndaj fluksit të migrantëve.
Rreth 140 kilometra tela me gjemba, me një lartësi të ulët, janë vendosuar që nga muaji nëntor në një shtrirje rreth 670 kilometra nga ana e dy shteteve, Kroacisë dhe Slloveni së.