Në lagjen “Dardania” të kryeqytetit në “platonë mbi kurriz” po punohet për zëvendësimin e pllakave të vjetra me ato të reja më të qëndrueshme, për shtimin e ndriçimit në tunelin nën ploto dhe për shtimin e hapësirave të gjelbërimit në këtë hapësirë.
Punimet kanë filluar më 29 qershor 2015 dhe sipas kontratës të nënshkruar ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe kompanisë së kontraktuar “Rexha shpk” është paraparë që këto punime të përfundohen për 180 ditë pune. Mirëpo, prishtinasit që jetojnë ose punojnë në atë pjesë të qytetit ankohen në dinamikën e kryerjeve të punimeve dhe fajësojnë Komunën e Prishtinës dhe kompaninë kontraktuese, ndonëse zyrtarë komunalë dhe të kompanisë thonë se punimet po kryhen sipas dinamikës së përcaktuar.
Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, ka bërë të ditur se vlera e tenderit të fituar për këto punime është 997 mijë euro, ndërsa sipas kontratës, të nënshkruar më 12 qershor të këtij viti, parasheh që këto punime të përfundohen brenda 180 ditëve të punës dhe në rast vonese kompania fituese do të dëmtohet në kompensim për çdo ditë vonese.
Gëzim Berisha, punëtor në njërin nga butiqet në afërsi ku po kryhen punimet, thotë se dëmtimi i rrugës dhe pluhuri i madh nga puna që po bëhet në rregullimin e platosë kanë ndikuar që puna të bie, ndërsa shton se ai nga ai biznes fiton të ardhura për një familje të tërë.
“Edhe ashtu nuk kemi pasur shumë punë, por tashmë kemi edhe më pak dhe kjo po na dëmton. Më e keqja është se nuk dihet sa kohë do të kalojë derisa të përfundohen këto punime.
Numri i punëtorëve është i vogël dhe punimet janë duke ecur shumë ngadalë. Unë e kam këtu punën dhe i shoh për çdo ditë përparimet që bëhen, por mund të them se nuk ka përparime të mëdha dhe se më këtë avaz të punës nuk ka shans që këto të përfundojnë brenda këtij viti”, ka thënë Berisha.
Ai thotë se zakonisht janë katër deri në pesë punëtorë që punojnë gjatë ditës, ndërsa numri maksimal i punëtorëve që ai ka parë në këtë punishte ishte shtatë. Ai ka vërejtje edhe në kohën kur kanë filluar punimet, pasi sipas tij është kohë e papërshtatshme, sepse tashmë ikën ditët e mira.
“Këto punime kanë filluar në kohë të papërshtatshme dhe si duke komuna nuk i ka bërë mirë përllogaritjet pasi punimet kanë filluar nga fundi i qershorit dhe nuk mund të nxënë 180 pune, sepse tashme jemi në sezonin e vjeshtës dhe me gjasë do të ketë ditë me shi. Edhe nëse kompania e ka gjetur mënyrën për të punuar në ditët me shi, nuk mund të punojë kur bie bora dhe këto punime do mbesin pezull deri vitin e ardhshëm”, shton Berisha duke shpresuar që të përfundojnë sa më parë këto punime pasi siç thotë ai po ndikojnë negativisht në punën e tij.
Shefi i një kafiterie në afërsi të punimeve, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se punimet kanë ndikuar që të bie punua thuajse përgjysmë dhe se këto punime nuk ka shans të kryhen për 180 nëse vazhdojnë me të njëjtin ritëm të punës.
“Kurrfarë rendi nuk ka. Me pesë punëtorë është duke u punuar në këtë projekt kaq të madh, i cili nuk ka shans të përfundojë këtë vit në bazë të asaj që po shoh unë. Punimet janë duke ecur shumë ngadalë dhe jo që nuk do të përfundojnë për 180 siç ka thënë komuna, por as për 180 të tjera”, ka thënë ai duke veçuar se për humbjet që po u shkaktohen bizneseve nuk kanë kurrfarë kompensimi.
Ankesa kanë edhe banorët e asaj lagjeje, pasi iu bie të kalojnë çdo ditë andej.
“Këtu kanë mbetur disa staza të ngushta për të kaluar, të cilat paraqesin problem se janë të dëmtuara. Problemin më të madh e kanë fëmijët, të cilëve u duhet të kalojnë çdo ditë këtej për të shkuar në shkollë” ka thënë Arife Idrizi, banore e kësaj lagjeje.
Edhe qytetarja Shpresa Vitija shpalos të njëjtat probleme duke shtuar që tash ia bëjnë disi, por kur të bie borë do ta kenë më problem pasi shkallët janë të prishura dhe të ngushta. Kur të mbulohen me borë do t’ua vështirësojnë edhe më shumë kalimin.
Arkitektja e firmës punëkryese, Shkurte Sadiku, ka mohuar pohimet e qytetarëve se numri i punëtorëve është i vogël dhe se është duke u punuar shume ngadalë.
“Ka qytetarë që thonë se numri i punëtorëve është i vogël, por ai është mendimi i tyre. Ne jemi duke punuar në vazhdimësi, por nuk mund të punohet shpejt e shpejt. Ky është projekt i kushtueshëm dhe duhet punuar me kujdes”, ka thënë Sadiku, duke shtuar se është e vetëdijeshme se në afërsi janë 200-300 lokale dhe secili që punon aty punën e ka një burim të jetesës.
Sadiku ka treguar për KosovaLive se kompania ka menduar edhe zgjidhjen për të vazhduar punën në ditët me shi dhe përgjegjësit e kompanisë janë të përkushtuar për ta përfunduar projektin sa më shpejt që është e mundur. Megjithatë, Sadiku nuk e ka mohuar faktin se përfundimi i punimeve me kohë do të varet nga kushtet atmosferike, të cilat mund t’i pezullojnë punët dhe të ndikojnë që të mos përfundojnë brenda afatit të përcaktuar kohor.