Ndonëse organizimi i zgjedhjeve të nëntorit në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe veriun, nga i gjithë spektri politikë ndërkombëtar e vendor, është konsideruar si një e arritur e madhe sa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e që mund të jetë në interest të të gjithë qytetarëve, sidomos të atyre serb, këta të fundit, megjithatë, dyshojnë se situata politike, ekonomike dhe ajo e sigurisë, do të ndryshojë për të mirë, edhe pse, sipas tyre shpresa për një jetë me të mirë gjithmonë ekziston.
Por disa qytetarë serb, rrethanat e votimit i kanë quajtur edhe si okupim për shkak të numrit të madhe të forcave të sigurisë, e të tjetër shpresojnë se me përfundimin e këtyre zgjedhjeve, do të përmirësohet edhe jeta e tyre në këtë pjesë të Republikës së Kosovës.
Për Nebojsha Joviq qyterat në Mitrovicën e Veriut, diat e rivotimit në tri qendra të votimit në Mitrovicë, nuk asocion në asgjë tjetër përveç se në okupim!
“Kemi pasut ushtarin, policin, edhe njerëz të tjerë të armatosur! Vetëm po habitem pse po ju mungojnë bombat, apo minahedhësit në krah këtyre policëve dhe ushtarëve! ”, ka thënë Joviq, në një anketë të realizuar nga Instituti për Gazetari Hulumtuese dhe Komunikim Masiv.
Përshkrimi që e dha Joviq për praninë e madhe të forcave të shumta të rendit në ditën e rivotimit, që kishin zbarkuar matanë lumit Ibër në Mitrovicë për të siguruar qetësinë gjatë procesit zgjedhor, thotë se reflekton tek shumica e qytetarëve që nuk dalin për të votuar.
Kurse, ai shpreson se pas zgjedhjeve të bëhet diçka më mirë, edhe pse ai thotë se për këtë nuk është i sigurt. Duke folur për kohët e kaluara, Joviq ka thënë se qytetarët të të gjitha nacionaliteteve pa dallim kishin jetuar dikur mirë, dhe se do të dëshironte që ajo kohë të përsëritet.
Një qytetar tjetër serb Marko Bozhoviq, ka thënë se do të dëshironte të bëhet siç ishte dikur në Mitrovicë. Kurse, sa i përket zhvillimit ekonomik, ai tha se do të ishte mirë që të hapet tregu i punës, që ekonomia të ecën, në mënyrë që të ringjallet ky popull dhe rinia në veçanti.
“Unë, megjithatë, shpresoj se një ditë do të bëhet mirë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, për një qytetar tjetër serb, i cili deshi të jetë anonim, tha se përmirësimi i jetës në veri varet nga politika e lartë.
“Ne duhet të punojmë dhe të jetojmë, se si do të bëhet nuk di. Sa i përket gjendjes ekonomike, çdokund në botë është gjendje e vështirë, andaj nuk besoj se tek ne do të ndryshoj diçka dhe të bëhet mirë”, ka thënë ai.
Megjithatë, shqiptarët e veriut të Mitrovicës, kanë deklaruar se gjithçka varet nga vetë serbët, sepse, sic thanë ata, zgjedhjet e organizuara në tërë territorin e vendit, dëshmojnë se serbët e veriut kanë filluar ta pranojnë realitetin e ri në Republikën e Kosovës.
Faik Mripa banor i veriut të Mitrovicës, ka theksuar se nëse serbët e pranojnë realitetin e ri të krijuar në Kosovë, ka shpresë për një të ardhme shumë më të mirë në veri.
“Nëse serbët e pjesës veriore e kanë me seriozitet, atëherë edhe për neve shqiptarët do të bëhet më mirë në Mitrovicë, ku do të hapet perspektiva e përbashkët, do të investohet, do të hapen fabrika dhe vende të reja pune”, ka thënë Mripa.
Në anën tjetër, i gjithë spektri politikë ndërkombëtar, e vendor rivotimin në tri qendrat e votimit në veri, e kanë cilësuar një hap shumë të rëndësishëm drejtë përmirësimit të raporteve mes shqiptarëve dhe serbë në atë pjesë.
E para e shtetit të Kosovës, Atifete Jahjaga, ka theksuar se Kosova sot vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm i paqes dhe fqinjësisë së mirë në rajon dhe këtë e ka dëshmuar edhe me angazhimin e plotë të saj në bisedimet në Bruksel me Republikën e Serbisë, duke arritur edhe marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
“Republika e Kosovës është shtet i të gjithë qytetarëve të saj të barabartë dhe të drejtën kushtetuese dhe ligjore duhet ta shfrytëzojnë të gjithë, përfshirë edhe qytetarët tanë të komunitetit serb që jetojnë në veri të vendit. Me zgjedhjet lokale që kanë përfunduar në pjesën e veriut të territorit të vendit, po e rrumbullakojmë procesin e integrimit të të gjitha komuniteteve, edhe të komunitetit serb që jeton në veri, në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës dhe po e përmbyllim kapitullin e përplasjeve dhe kundërthënieve në vend”, ka thënë Jahjaga.
Sipas saj, zgjedhjet komunale do të dëshmojnë kompaktësinë e vendit dhe njëkohësisht përmbyllin procesin e integrimit të brendshëm për të vazhduar me përkushtim kapitullin e integrimeve evropiane, dhe kjo rrugë, sipas saj, na bashkon të gjithë neve, qytetarëve të vendit – pa dallim.
Kurse, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, ka thënë se përsëritja e zgjedhjeve në tri vendvotime në pjesën veriore të Mitrovicës paraqet hap të rëndësishëm përpara për Serbinë dhe Kosovën.
“Jam e kënaqur që t’i shohë rezultatet preliminare, që të jepen nga Mitrovica veriore, për rivotimin në zgjedhje, që kaluan në mënyrë paqësore. Ne presim që t’i dëgjojmë saktësisht rezultatet. Por, ky është një hap i rëndësishëm për lëvizjen përpara të Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Ashton.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon ka lavdëruar Prishtinën dhe Beogradin për vazhdimi e pjesëmarrjes aktive në kuadër të dialogut me ndërmjetësim të BE dhe ka përshëndetur përparimin në zbatimin marrëveshjes për normalizimin e raporteve.
“Përparimi në teren drejt paqes dhe stabilitetit edhe në dialogun politik do të mbetet krucial në dritën e synimeve të Serbisë dhe Kosovës në integrimet evropiane”, ka thënë Ban Ki-Mon, duke shtuar se dalja në zgjedhje në pjesën veriore të Kosovës është i rëndësishëm për paqe dhe stabilitet.
Ndërkaq, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, ka vlerësuar se zgjedhjet lokale përfaqësojnë një mundësi të rëndësishme për të ndikuar në vendimet që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve.
Ambasada amerikane ka përgëzuar forcat e rendit për kontributin e tyre në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Mitrovicën e Veriut.
Edhe shefi I EULEX-it, Bernd Borchardt, ka dhënë notë të lartë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pasi qytetarëve të Mitrovicës së Veriut iu është dhënë mundësia që të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar.
Sipas vlerësimit paraprak në terren lidhur me përsëritjen e zgjedhjeve në tri qendra të votimit në veri të Mitrovicës, ofruesit e sigurisë, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i i kanë përmbushur detyrat e tyre në mënyrë efikase.
Sipas EULEX-it, ata kanë vepruar në mënyrë efikase për ta garantuar sigurinë e votuesve, të anëtarëve të komisioneve të qendrave të votimit dhe të lehtësuesve të zgjedhjeve nga OSBE-ja.
Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i, në rolet e tyre si reagues të parë, të dytë dhe të tretë, e kanë mbrojtur mjedisin dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, në pajtim me mandatin e tyre.
“Jam shumë i kënaqur që procesi i votimit dje u krye në mënyrë të qetë, pa incidente të mëdha, duke ju ofruar mundësi qytetarëve që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar. Bashkërendimi ndërmjet EULEX-it, PK-së, KFOR-it dhe OSBE-së ishte i shkëlqyeshëm”, tha Bernd Borchardt, Shefi i Misionit EULEX në Kosovë.
Sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), Lamberto Zannier, i ka përshëndetur rivotimet në tri qendra të zgjedhjeve në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Dalja në votime ishte shumë e mirë dhe shumë banorë lokalë e ushtruan të drejtën e tyre themelore për të votuar për përfaqësuesit e tyre të zgjedhur dhe kjo është një kthesë e rëndësishme”, ka thënë Zannier.
OSBE-ja i ka lehtësuar zgjedhjet lokale në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës, në harmoni me marrëveshjen e Brukselit ndërmjet Beogradit e Prishtinës, më 19 prill.
Sidoqoftë, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve që kishte barrën kryesore të organizimit të zgjedhjeve në veri të Kosovës, falënderon qytetarët e veriut që i janë përgjigjur thirrjeve të institucioneve të Republikës së Kosovës për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.
Sipas KQZ-së, kandidati i Listës “Srbska”, Kërstimir Pantiq, dhe ai i SDP-së Oliver Ivanoviq do të përballen në rrethin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave, që do të zhvillohet më 1 dhjetor.
As Pantiq, e as Ivanoviq nuk kanë fituar numrin e nevojshëm të vota për të qenë kryetar komune, do të thotë më shumë se 50 për qind të tyre.
Sipas këtyre rezultateve, Pantic prin me 2 mijë e 173 vota ose 36.89 për qind, ndërsa Ivanovic ka fituar 1.670 vota ose 28.35 për qind.
Në vendi e tretë është kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Agim Deva me 1.190 vota ose me 20.2 për qind.
Kandidatja e pavarur nga radhët e komuniteti boshnjak Adrijana Hoxhiq, ka fituar 727 vota ose 12.34 për qind, ndërsa kandidatja e Partisë së Pavarur Liberale Serbe, Dimitrija Janicijevic ka fituar 130 vota, që i bije të ketë 2.2 për qind.
Mirëpo, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike vlerëson se një prani aq e madhe e policisë në terren, ndoshta nuk ishte më se e nevojshme.
“Por, duke marrë parasysh që sërish situata në veri të Kosovës, do të mund të tensionohej, një prezencë e shtuar policore është një zgjidhje racionale. Por unë mendoj që institucionet e sigurisë nuk duhet të krijojnë imazhin, që në veriun e Kosovës, punët mund të zgjidhen vetëm me anë të forcës, sepse kjo nuk është rezultati që shoqëria kosovare pret sa i përket normalizimit të gjendjes atje”, thotë Korenica.
Sipas tij, nëse situata në veri nuk mund të zgjidhet ndryshe përpos me një prani të shtruar policore, atëherë hisedarët si Prishtina, Beogradi dhe Brukseli, duhet të jenë më transparent me opinionin.
Megjithatë, Bexhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut mohon kredibilitetin e këtyre zgjedhjeve. Sipas tij votimi nën prezencë policore e ushtarake nuk i jep legjitimitet asnjë të zgjedhuri.
Në anën tjetër, Nebojsha Joviq, që është nga shtabi për bojkotimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, thotë se 17 nëntori dukej se ka prodhuar një gjendje të jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, ndërsa argumenton se në kushte të tilla, procesi i votimit, “de jure nuk mund të zhvillohet”.
I irrituar me rezultatin preliminar, kandidati i Listës “Srbska”, Kërstimir Pantiq, ka deklaruar se nuk do t’i njohë rezultatet, duke dyshuar se procesi i numërimit të votave është manipuluar gjatë numrit në Prishtinë. Ndërsa, kandidat tjetër që shkoi në balotazh, Ivanoviq ndihet i hendikepuar që nuk pati mbështetje as nga Serbia e as nga grupet tjera serbe. Megjithatë,edhe Ivanoviq edhe Pantiq, nuk parashikojnë që të bëjnë koalicion në balotazh me partitë shqiptare e as ato boshnjake.
Pantiq ka shprehur dyshimin se votat janë manipuluar gjatë numërimit, ndërsa ka kërkuar që të bëhet një hetim detaj, siç tha ai, “të asaj çfarë ka ndodhur me materialin zgjedhor”. Ai tha se rezultatet e publikuara nuk janë në pajtim me atë që qytetarët kanë dëshiruar kur kanë dalë në vendvotime dhe se vota e qytetarëve është minupuluar.
“Pavarësisht në faktin se ‘Srpska’ dhe unë kemi fituar në këto zgjedhje, nuk mund ta pranoj rezultatin e votimit. Është e qartë se në kohën prej orës 19:30 e deri në ora 24, kur ka filluar numërimi ka pasur manipulim të materialit zgjedhor”, ka thënë Pantiq. Ndërsa Ivanoviq tha se në këtë proces zgjedhor ai ka qenë i “shkelur” në çdo aspekt, sepse nuk ka gëzuar mbështetjen e asnjë institucioni.
Ndryshe, më 1 dhjetor në veri të Mitrovicës do të mbahet balotazhi në mes të dy kandidatëve, Këstimir Pantiq nga Lista ‘Srpska’ dhe Oliver Ivanoviq nga Iniciativa ‘SDP’, me ç’rast qytetarët e këtushëm do të zgjedhin cili prej tyre do të jetë kryetar i veriut të Mitrovicës.
Sidoqoftë organi zgjedhor tashmë i ka dhënë fuqinë ligjore këtyre të zgjedhurve duke certifikuar rezultatin e votimeve. Ndërsa lojaliteti dhe doza e vullnetit për t’u integruar mbeten për tu parë më tutje.