Njihet si një ndër kryetarët më ndryshe, pasi që dy herë radhazi është zgjedhur pa balotazh dhe nuk i përket asnjë partie politike.
Kryetari i Hanit të Elezit, Refki Suma, pavarësisht shumë punëve që ka kryer dhe projekteve që ka jetësuar, nuk ka arritur t’i përmbushë të gjitha pritjet e qytetarëve. Ata thonë se nevoja për një çerdhe publike, është rritur, derisa kujtojnë se ndërtimi i një të tille ishte premtim elektoral i Sumës.
Kryetari Suma thotë se nuk e ka lënë anash asnjëherë premtimin e dhënë, por thotë se ndërtimi i çerdhes nuk është finalizuar për shkak të problemeve që kanë dalë me pronën, e cila është përzgjedhur për ndërtimin e saj.
Suma ka thënë se premtimin për ndërtimin e çerdhes, do ta përmbushë gjatë vitit 2016. Hani i Elezit me rrethinë, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, ka 10 mijë e 68 banorë.