Lajmet e fundit

Qytetarët përballen me korrupsionin

Në përmbyllje të 2015-tës, kur institucionet e Shtetit mbesin adresë e kritikave serioze për përpjekjet e ngathëta në luftën kundër korrupsionin, aktivizmi dhe presioni qytetar tenton të japë shpresë për këndellje të institucioneve të sundimit të ligjit.
Qendra për Këshilla Ligjore dhe Avokim pranë Institutit Demokratik të Kosovës, motivon përfshirjen aktive të qytetarëve në luftën kundër korrupsionit duke ju ofruar mekanizma të thjeshtë dhe të besueshëm që ata në mënyrë aktive të refuzojnë korrupsionin duke kërkuar mundësi për zgjidhje.

Përmes një konference për shtyp, KDI, degë e Transparency International për Kosovë, bëri përmbledhjen e aktiviteteve të Qendrës që funksionon në kuadër të kësaj organizate si dhe ofroi rekomandime të ndryshme për institucionet.

Rastet e raportuara nga qytetarët tregojnë se ata janë të gatshëm që të përballen me korrupsionin. Nga 35 rastet e raportuara për gjysmë e dytë të vitit, shtatë u takojnë shkeljeve të pretenduara nga ministritë, gjashtë nga komunat, pesë nga gjykatat dhe prokuroritë dhe katër nga AKP.

Kurse sipas natyrës, mos zbatimi apo zvarritja e marrjes së vendimeve gjyqësore prin me 10 raste, pasuar nga nëntë raste të raportuara për kurdisje tenderësh.

Shkelja e të drejtave të punës dhe nepotizmi gjatë punësimit gjithashtu janë raportuar nga qytetarët nga tre herë secila.

Analiza e statistikave shpërfaq problemet më të shpeshta me të cilat përballen qytetarët, prandaj, KDI ka ofruar edhe një numër të rekomandimeve për të përmirësuar situatën.

Duke parë trendin e vazhdueshëm të shpenzimit të buxhetit përmes “kuotimit”, si formë e prokurimit, rekomandohet që autoritetet kontraktuese, të publikojnë në uebfaqen e KRPP-së apo edhe uebfaqet e tyre shpalljet për këtë lloj aktiviteti.

Gjithashtu rekomandohet që të zvogëlohet shuma e lejuar e prokurimit përmes kuotimit nga 10,000 Euro në 5,000 Euro.

Kurse lidhur me konfliktin e interesit gjatë punësimit, është vërejtur nevoja e pasurimit të dispozitave normative mbi parandalimin e konfliktit të interesit duke konkretizuar për rastet e funksionarëve të tillë.

Për më shumë lexoni raportin e plotë me rekomandime tjera në lidhëzën në vijim: http://kdi-kosova.org/publikime/26-korrupsioni-cili-eshte-tregimi-yt__new_alb_final_v2-1.pdf

Leave a Reply

Your email address will not be published.