Lajmet e fundit

Qytetarët të paknaqur me Mustafën pas një viti kryeministër

Këtu e një vit më parë, pasi mori votat e mjaftueshme për t’u shpallur kryeministër, Isa Mustafa në krye të fjalimit të tij përmendi disa herë zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve. “Qeveria e Republikës së Kosovës është e vetëdijshme për domosdonë që të punojë shumë për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë dhe mbi këtë bazë do të fokusohet në forcimin e sektorit privat, tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe krijimin e sa më shumë vendeve të reja të punës”, kujtojmë të ketë thënë asokohe kryeministri Mustafa.

Kanë kaluar një vit nga qeverisja Mustafa, qeverisje kjo e cila nga qytetarët vlerësohet me disa përparime të përgjithshme, me realizim të paktë të premtimeve, si dhe me ngecje në zhvillim ekonomik.

Të anketuarit, kalimtarë rasti në qendër të kryeqytetit, aty edhe ku ndodhet zyra e kryeministrit, thonë se shumë pak mbajnë në mend nga të arriturat e Qeverisë Mustafa. Shumë prej tyre numërojnë vetëm nënshkrimet e marrëveshjeve për Asociacionin e komunave serbe si dhe atë për demarkacionin me Malin e Zi.

Janë pikërisht këto marrëveshje ato të cilat e kanë zbehur edhe punën e kryeministrit, mendon kështu qytetari Ramadan Ferizi.

“Nuk mund të themi që ka qenë krejt pasive. Ka pasur miratime të ligjeve në Kuvend, avancim të disa projekteve, përfundim të projekteve nga Qeveria e kaluar. Ka pasur punë pozitive, nuk mund të themi që ka qenë krejt negative. Megjithatë këto dy marrëveshje, të asociacionit dhe demarkacionit, sikur e kanë zbehë punën një vjeçare të Qeverisë. Prapë po them që ndoshta janë marrëveshje të kohës dhe a duhet apo nuk të duhet të jetë ashtu, duhet të ulen së bashku pozitë e opozitë e këto dy probleme t’i zgjidhin. Për ndryshe puna e Qeverisë nuk mund të vlerësohet me notë negative, sepse ka pasur përparime, avancime, ka qenë shumë e vështirë konstituimi i qeverisë pas tërë atyre ngecjeve tetë mujore në Qeveri”, tregoi Ferizi.

Se nënshkrimi i dy marrëveshje po i shkakton pengesë kryeministrit të Kosovës në punën e tij, e tha edhe qytetari Musa Aliu, i cili për këtë situatë e lë fajtor pozitë e opozitë.

“Kjo është një pyetje e gjerë dhe komplekse për t’u përgjigj, qeverisja një vjeçare e Isa Mustafës! Por e kam një porosi për opozitën por edhe për pozitën, të mos punojnë kundër njëri-tjetrit por të punojnë me njëri-tjetrin. Isa Mustafa nuk ka mundur as njëherë të punojë në mënyrë normale, por grupet e ndryshme të interesit, grupacionet politike kanë ndikuar që asnjë punë të kryhet siç duhet. Kjo po shihet në punën e përditshme. As në gjendje lufte nuk guxon parlamenti të bllokohet në këtë mënyrë. Duhet të gjendet forma, mënyra, që nëse na sulmon dikush me mbajt mbledhje, me komuniku drejtpërdrejtë. Ne nuk jemi armiq, jemi një popull . Ne duhet të trajtohemi vetëm si popull , nuk guxojmë të shkojmë në këso mënyre”, tha Musa.

Me nënshkrimin e marrëveshjes së demarkacionit dhe atë për asociacionin, disa qytetarë nuk e arsyetojnë pakënaqësinë e tyre nga qeverisja një vjeçare e kryeministrit Isa Mustafa.

Tynemie Rashi, qytetare nga Prishtina, papunësinë e sheh problem kryesor të kësaj qeverisje. Ajo thotë se papunësia në vendin tonë është se me privatizimet e ndërmarrjeve të mëdha, u lanë njerëzit pa punë, dhe asnjëra qeverisje nuk e mendoj mirë këtë punë.

“Kurrë, send s’kanë bë. Jo vetëm prej këtij, por prej asnjërit. I shitën fabrikat edhe i lanë punëtorët e të rinjtë rrugëve. Unë jam qe 30 vjet këtu, përpara janë kon fabrikat, secili ka qenë në punë, e ka mbajt familjen e vet. Sot duhet me dal me lyp nëpër hallk, me të ndihmu dikush. Kush ka pasur shkollë ka qenë më lehtë, kush nuk ka pas shkollë një familje e ka mbajt”, tha Rashi.

Papunësia shihet problem edhe për Meriman Brahen, i cili thotë se vendi ka mungesë të vazhdueshme të kapaciteteve për investime të mëdha.

“Premtimet janë shumë të mëdha, mundësitë janë të vogla, kështu që politika e ka këtë, premto më shumë, merri votat dhe pastaj çka mundesh me realizua, realizo. Më rëndësishmja prej të gjithave është punësimi i të rinjve. Por nuk ka mundësi sepse janë investime kolosale. Ato 160 mijë vende të punës janë premtuar, apo rivali i tij që i ka premtua 200 mijë vende të punës. Ku m’i marrë paret për t’i bërë ato? Është problem. Kështu që edhe ky kryeministër dhe cili do kryeministër tjetër e ka jashtëzakonisht të vështirë të hap vende të reja të punës, sepse janë para të mëdha. Askush nuk t’i jep, askush nuk ti fal, e ti mundesh me iu premtua popullit lehtë”, tha Braha .

Tërësisht i zhgënjyer me punën e kryeministrit u tregua edhe Nexhat Morina, i cili e kujton pakënaqësinë e punës së Mustafës që nga udhëheqja e kryeqytetit.

“Absolut hiç, aspak. S’kam çka të them. Asgjë hiç. Katër vite e pati Prishtinën send nuk ka bërë. Si kryeministër tash , veç qashtu edhe ma keq”, tha Morina.

Qeverisja e Kosovës nga kryeministri Isa Mustafa sipas një qytetare e cila nuk dëshiroi të tregoj emrin, solli kulturë të re të politikës në vend, por që ka ende nevojë për pjekuri.

“Prej qeverisjes së Isa Mustafës mbaj mend një kulturë qeverisëse, politika jonë ka filluar të marrë lëvizje pozitive për arsye se ne shpesh nuk e kemi pasur politikën e qetë, për të parë se në cilën rrugë po shkon. Është interesantë, neve askush nuk mundet të na bëjë rehat. Sapo kanë filluar gjërat pozitivisht, kaluan në negativisht. Ne të gjithë duhet ta dimë, edhe partitë politike të gjitha, se politika jonë nuk është më vetëm e jona. Politika jonë është filozofi e Evropës, është filozofi e botës. Ka shumë gjëra që janë vendos në Bruksel, sepse nuk kemi mundur ne me shekuj t’i vendosim këtu brenda. Për atë arsye duhet me pas respekt për ata që na kanë ndihmu, duhet me pas mirëkuptim. Duhet t’i kuptojmë gjërat, se ne nuk mundemi t’i stopojmë gjërat që kanë filluar në aspektin botëror, në aspektin evropian. Andaj ma merr mendje se pjekuria politike ende nuk është në atë nivel”, tha qytetarja që nuk deklaroi emrin.

Përndryshe, Isa Mustafa u zgjodh kryeministër i Kosovës, pas koalicionit që bëri me PDK-në e Hashim Thaçit. Ai u votua për kryeministër me 09 dhjetor 2014, duke marrë 73 vota pro, 38 kundër dhe 2 abstenime.

Leave a Reply

Your email address will not be published.