Lajmet e fundit

Qytetarët të zhgënjyer me Bahtirin, e ai thotë se është legjendë për ata që kanë sy e veshë

Si një fytyrë krejtësisht e panjohur në sferën politike, me pasuri misterioze e premtime marramendëse, kishte arritur të fitojë betejën për të parin e Mitrovicës në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Në një gjendje të vështirë ekonomike të mitrovicasve, dhe për të përfituar politikisht, ai premtonte zhvillim të hovshëm ekonomik, 15 mijë vende pune, fabrika, investitorë nga Azia e shumë të tjera.

Kishte premtuar se pasurinë e tij milionëshe, do ta “shkrijë” të tërën për qytetin dhe qytetarët, ndërsa Mitrovicën do ta bënte qytetin më të pastër në Kosovë.

Mirëpo, tani pas dy vitesh të qeverisjes së Agim Bahtirit, qytetarët ndjehen të zhgënjyer dhe të mashtruar, sepse përveç se nuk ka realizuar premtimet, Mitrovica mbetet qyteti më i ndotur në vend.

Elvis Feka, qytetar, tha se premtimet e kryetarit Bahtiri kanë qenë shumë të mëdha, por për këto dy vite ai nuk ka arritur të realizojë asnjë prej tyre.

Një qytetare tjetër, Remzije Januzi, pranoi se ia ka dhënë votën Agim Bahtirit në zgjedhjet lokale të vitit 2013, por tani është e zhgënjyer.

Edhe Fjona Osmani, nxënëse e gjimnazit ‘Frang Bardhi’ në Mitrovicë, u shpreh e pakënaqur me punën e deritashme të kryetarit të komunës.

Ndërkaq, edhe përfaqësuesit e partive opozitare në Mitrovicë, kanë pranuar se premtimet e kryetarit Bahtiri kanë qenë vetëm fjalë, dhe se deri tani nuk është realizuar asgjë. Ata kanë akuzuar Bahtirin se po merret me politika të larta shtetërore, detyrë kjo që nuk i takon fare atij.

Faruk Mujka, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, tha se premtimet e kryetarit Bahtiri akoma nuk kanë gjetur zbatim në praktikë.

Sipas tij, ai është marr më shumë me politika të larta, gjë që nuk është punë e tij.

Edhe Avni Kastrati, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, duke potencuar se kryetari Bahtiri as për së afërmi nuk ka realizuar premtimet e tij ndaj qytetarëve, ka këshilluar këtë të fundit të merret më shumë me problemet që i përkasin, dhe jo me ato që nuk janë domen i tij.

Ai ka numëruar disa nga premtimet e Bahtirit, si ndërtimin e një fabrike më të madhe të qumështit në Ballkan në rajonin e Shalës së Bajgorës, pastaj zhvillimin e turizmit në këtë vend, dhënien e automjetit zyrtar shoqatave të dala nga lufta, hapjen e kuzhinës popullore për të varfrit, 15 mijë vende të punës, ndërtimin e fabrikës së kërpudhave për 90 ditë, si dhe shumë premtime tjera, për të cilat tha se asnjëherë nuk u realizuan.

Ndërkaq, gjatë një interviste për Kosovapress, vetë kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, pranon se ka ngecur në premtimet për punësim, por thotë se ka realizuar mbi 80 për qind të premtimeve të tij.

Ai ka potencuar ndaljen e korrupsionit, kontrabandës dhe respektimin e orarit të punës në Komunë, si suksese të tij.

Sipas tij, Mitrovica si qytet më specifik nga qytetet tjera për shkak të tensioneve, problemeve politike etj, ka kërkuar angazhim maksimal, andaj atij i është dashur që përveç politikave lokale, të merret edhe me politika të nivelit më të lartë, vetëm për normalizimin e gjendjes së përgjithshme në këtë komunë, për të cilën siç u shpreh ai, ia ka arritur plotësisht.

Bahtiri theksoi sabotimin që i është bërë deri tani nga këshilltarët komunalë të PDK-së në realizimin e synimeve të tij për zhvillim ekonomik, por që pranoi se tani raportet janë përmirësuar dhe brenda tre muajve pritet rezultati i fabrikës së kërpudhave në fshatin e tij të lindjes në Gushavc, e cila deri në fund të vitit 2016 do të punësojë rreth 800 punëtorë.

Ai thotë se nuk ka pasur mbështetjen e duhur nga qeveria sa i përket ndërtimit të shtëpive në veri dhe kthimin e banorëve shqiptarë në atë pjesë, andaj nuk ka arritur të realizojë qëllimet sa duhet në këtë drejtim, ndërsa ka arritur të punësojë, siç tha ai, rreth 1300 qytetarë nëpër kompani të ndryshme.

Bahtiri foli edhe për zonën e lirë ekonomike në Mitrovicë, për të cilën tha se është duke u përgatitur infrastruktura, ku pastaj priten investitorë vendorë dhe të huaj, derisa ka përsëritur se është dhe do të mbetet legjendë për ata që kanë sy dhe veshë.

I pari i Mitrovicës thotë se e ka bërë të pamundurën për t’u kujdesur për qytetarët e pjesës së veriut, edhe pse s’ka pasur mbështetje nga Qeveria e Kosovës.

Në anën tjetër, Raporti nga Zyra e Auditorit të përgjithshëm për vitin 2014, bazuar në detajet e paraqitura në secilën pjesë të këtij raporti, ka konkluduar mes tjerash se Menaxhmenti i Komunës kishte dizajnuar sistemin e kontrollit të brendshëm, por këto kontrolle nuk kishin funksionuar në disa fusha të rëndësishme të menaxhimit financiar.

Sipas këtij raporti, ka pasur mangësi në disa fusha. “Janë bërë pagesa prej 132,288 € nga kategoria ekonomike e investimeve kapitale për mallra dhe shërbime. Shpalosjet e PVFlidhur me klasifikimin e shpenzimeve në kode ekonomike, nuk ishin në përputhje me rregullativën ligjore. Kërkesat e dobëta për qeverisje/llogaridhënie dhe raportimi i cilësisë së dobët, reduktojnë efektivitetin e menaxhimit operativ dhe financiar brenda OB-së dhe mund të rezultojnë me humbje financiare. Dobësi në menaxhimin e të hyrave nga dhënia me qera e pronës komunale. Hapësirat publike vazhdojnë të shfrytëzohen pa pagesë të obligimeve sipas kontratave. Dobësi të theksuara janë identifikuar edhe në fushën e shpenzimeve të realizuara përmes procedurave të prokurimit. Komuna ka dhënë subvencione pa kritere dhe kishte mungesë të monitorimit të tyre, nëse po arrihen objektivat për dhënien e fondeve”, thuhet veç tjerash në këtë raport.

Leave a Reply

Your email address will not be published.