Punimet për renovimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, që lidh anën jugore dhe atë veriore të Mitrovicës, kanë nisur të shtunën me vënien e rrethojës që shënon vendin e punimeve.
Procesi i punës po vazhdon edhe të dielën, me vënien e shtyllave të betonit në të dyja anët e urës, bëjnë të ditur zyrtarët e të dy komunave, të asaj jugore dhe veriore të Mitrovicës.
Renovimi i urës nënkupton edhe heqjen nga aty të barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes”.
Kryetari i komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, se punimet në urë do të vazhdojnë deri në qershorin e vitit të ardhshëm, kur edhe pritet që ura të funksionalizohet për qarkullim.
“Deri në qershor, (ura)do të jetë e gatshme, për të ecur të lirë edhe këmbësorët, çiklistët dhe automjetet”, thotë Bahtiri.
Në anën tjetër, kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e vlerëson fillimin e punimeve në urën kryesore mbi lumin Ibër, si hap të parë të rivitalizimit të saj.
Rakiq i hedh poshtë pohimet, siç shprehet ai, të disa medieve, të cilat, sipas tij, e kanë shtrembëruar deklaratën e tij, kinse të ketë thënë se rivitalizimin e urës mbi Ibër, ka filluar, por i ashtuquajturi “Parku i paqes” nuk do të largohet.
“Unë kam deklaruar se gjatë ditës së djeshme (të shtunën) do të vendoset rrethoja rreth ‘Parkut të paqes’ dhe se ai nuk do të largohet gjatë ditës së djeshme. Pra, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, ura do të lëshohet për qarkullim në atë moment që do të ndërtohet zona për këmbësorë (në anën veriore të urës) dhe kur do të respektohen të gjitha vendimet që i ka sjell Kuvendi i komunës së Mitrovicës së veriut, pra, kur të nënshkruhet memorandumi për marrëveshje (për saktësimin e kufijve administrativ të dy komunave, veriore dhe jugore). Pra, nuk kam thënë se ura do të jetë e mbyllur për afat të gjatë, por vetëm se duhet të respektohet procedura e caktuar”, deklaron Rakiq.
Të dy kryetarët e komunave, të jugut dhe veriut të Mitrovicës, Bahtiri dhe Rakiq, vlerësojnë se rinovimi i urës kryesore mbi lumin Ibër dhe mundësia e qarkullimit përmes saj, është në dobi të të gjithë qytetarëve.
Megjithatë, Bahtiri shpreh mendimin se qarqeve të caktuara nuk u konvenon stabiliteti në këtë hapësirë, e as heqja e të ashtuquajturit “Parku i paqes”.
“Ka grupe njerëzish që nuk duan, as në jug e as në veri, që të bëhet diçka e mirë. Por, njerëzit, qytetarët e rëndomtë, janë për ta hequr këtë (“Parkun e paqes”). Si serbët, si shqiptarët, janë për ta hequr atë”.
“Është një klasë e njerëzve që përfitojnë prej tensioneve. Ata mund të mos jenë të kënaqur, por megjithatë, situata është e qetë dhe po vazhdon gjithçka sipas planit”, shprehet Bahtiri.
Ndërkaq, Rakiq thekson se para se të lëshohet për qarkullim ura kryesore mbi Ibër, gjë që pritet në qershor të vitit të ardhshëm, ai dhe Bahtiri duhet ta bëjnë vlerësimin e kushteve të sferës politike dhe të sigurisë.
“Nuk ka arsye për shqetësim, as të qytetarëve të komunës së Mitrovicës së veriut, e as arsye për eufori të qytetarëve të komunës së Mitrovicës së jugut. Qëllimi i të dy kryetarëve është që në këtë hapësirë të sundojë paqja, e cila do të jetë afatgjate dhe jo sikurse deri më tash, që gjithçka të zgjidhim sot për nesër”, ka theksuar Rakiq.
Projektin për heqjen e të ashtuquajturit “Parku i paqes” dhe rivitalizimit të urës kryesore mbi lumin Ibër, e ka marrë përsipër ta realizojë Këshilli Evropian.
I ashtuquajturi “Parku i paqes” mbi urën kryesore mbi lumin Ibër, ishte vendosur më 18 qershor të vitit 2014, vetëm disa orë pas heqjes së barrikadës së mëparshme me rërë dhe gurë, nga ana e autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut./REL