Kryeministri Edi Rama ka bërë një dalje të posaçme publike, duke deklaruar se falënderon të gjithë tifozët, mbështetësit e sportdashësit e kombëtares të cilët mbështetën me pjekuri dhe qytetari skuadrën kombëtare gjatë ndeshjes ndaj Serbisë në “Elbasan Arena”.
Rama tha se pavarësisht nga humbja në minutat shtesë, shqiptarët duhet të jenë krenarë për sjelljen e tyre para fqinjëve ballkanas.
“Gazetat e botës, nga Italia fqinje, deri në SHBA, shkruajnë për ndeshjen e ditës Shqipëri-Serbi. Asnjë nga shqiptarët nuk ishte i interesuar si do dilte ndeshja, ndërsa mediat botërore nuk e dinin çfarë do ndodhte, – tha Rama. – Një vit, pas shfaqjes së turpshme që ndodhi në Beograd, ne shqiptarët u ndjemë të palumtur për një humbje të pamerituar në fushën e lojës, por pak ose aspak i kemi befasuar të tjerët me atë që ndodhi jashtë fushës së lojës, përfshirë dhe Serbinë”.
Sipas Ramës, “nëse në fushë nuk arritëm të mbanim barazimin që do ta çonte Shqipërinë në Francë, mbajtja lart e etikës, sjelljes dhe qytetarisë i ka dhënë 3 pikë të arta Shqipërisë dhe shqiptarëve si popull dhe kjo nuk është aspak një humbje. Mendoni se çfarë do flisnim sot, nëse ultrasit kuqezinj do binin në batakun e huliganëve serbë si një vit më parë”.
Kryeministri ka shprehur më pas “mirënjohjen më të madhe, për qindra e mijëra sportdashës, që kaluan këtë test të vështirë për Shqipërinë mikpritëse. Për 94 minuta nuk u dëgjua asnjë kor racist, nuk u sulmua asnjë lojtar serb, skenat e dhunës një vit më parë ndaj lojtarëve tanë në fushë, nuk janë parë. Madje publiku duartrokiti kur kapiteni Ivanoviç doli i dëmtuar nga fusha. Ky është një leksion fisnikërie nga na e kuqezinjve, – theksoi Rama. . Shqipëria doli me nder e faqebardhë nga testi i maturisë, ndërsa kuqezinjtë dhanë aq sa mundëm përpara një presioni të madh dhe psikologjie që askush nuk e ka provuar më parë”, – shtoi ai mes të tjerash.