Lajmet e fundit

Ramadan Muja dhe 100 milionët e premtuar për Prizrenin

Kanë kaluar më shumë se dy vite kur kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ka fituar mandatin e tretë të udhëheqjes. Ai kishte fituar mandatin duke dhënë premtime të mëdha, e që në fakt ato kurrë nuk e panë dritën, bilës shumë prej tyre as që kanë filluar të realizohen. Ngecjet përfshijnë sektorët më të rëndësishëm të komunës, si zhvillimi ekonomik, bujqësia, arsimi e kultura. Në këta sektor, një numër i konsiderueshëm i projekteve nuk kanë filluar fare të realizohen, ndërsa ato projekte që kanë filluar së realizuari janë ndërprerë që në fazën e parë të punimeve.

Këtë e thanë për KosovaPress, organizatat që e monitorojnë rregullisht procesin e punës të kryetarit të komunës së Prizrenit.

Kryetarja e organizatës “Ec ma ndryshe”, Elmedina Baxhaku, tha se kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja , ka premtuar shumë. Ai ka arritur të realizoj premtimet në masën prej 25 për qind.

Ajo tha se nga premtimet që kryetari Muja ka realizuar, është menaxhimi i mbeturinave të qytetit, që ka qenë një donacion nga japonezet. Gjithashtu, ajo tha se qytetit vazhdon ti mungojë një zonë industriale. Baxhaku kujton premtimin e kryetarit se do të sjell investime rreth 100 milionë euro në komunën e Prizrenit, të cilat ajo thotë se ende nuk i kanë parë askund.

Edhe drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) në Prizren, Naim Cahani, tha se janë disa prej premtimeve që deri më tani nuk janë parë, e që kanë qenë prioritet në agjendën e kryetarit Muja. Ai i numëron disa nga ato.

Cahani tha se një nga premtimet e Mujës ka qenë edhe investimi në arsim, në këtë rast në ndërtimin e shkollës të Bujqësisë dhe asaj të Artit, që kryetari Muja , gjatë këtyre 2 viteve të mandatit të tij të tretë nuk e ka përmendur. Listës së premtimeve të kryetarit Muja i prin ai për 100 milionë euro investime.

Madje Cahani thotë se kryetari Muja ka marrë vendim për lirimin nga taksave për bizneset prodhuese, e cila reflekton drejtpërdrejtë në mungesën e zbatimit të premtimeve të tij rreth rritjes së punësimit të qytetarëve të Prizrenit.

Ndërsa sipas institutit GAP, kryetari i komunës së Prizrenit Ramadan Muja, i ka përmbushur vetëm 27% të premtimeve.

Ndërsa kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, për KosovaPress tha se i përgënjeshtron të gjitha deklarimet e monitoruesve. Ai madje tha se nuk i interesojnë fare se çka flasin ata, siç i quan ai “një grup njerëzish që pinë kafe e që kinse përfaqësojnë disa organizata joqeveritare”.

Megjithatë, Ramadan Muja tha se është e pamundur që komuna ti realizoj vet të gjitha premtimet e projektet, por ato ai tha se do ti realizoj edhe përmes partneritet publiko privat.

Ai tha se vetëm për sivjet 294 projekte i ka pasur në listën e investimeve kapitale dhe të gjitha këto, sipas tij, janë realizuar me buxhetin që ka qenë i planifikuar. Por ai thotë se disa prej këtyre projekteve kanë mbetur të parealizuara në tërësi, ngase ato nuk mund të përmbyllen në fund të vitit kalendarik, sepse punimet për disa projekte janë zhvilluar për aq para sa kanë qenë të rezervuara me buxhetin e komunës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.