Lajmet e fundit

Ramadan Zejnullahu: Nuk e di nëse do të kthehem në postin e Rektorit

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, po mendohet të kthehet apo jo në postin nga ku e larguan një ditë më parë

“Ende jam duke e shqyrtuar vendimin…”, i ka thënë Gazetës Fjala, menjëherë pasi, Arsim Bajrami, ministër i Arsimit dhe Teknologjisë së Kosovës ka shfuqizuar vendimin e së mërkurës të Këshillit Drejtues të UP-së për shkarkimin e Zejnullahut.

Kjo ka ardhur gjysmë ore para se të fillonte protesta e paralajmëruar kundër shkarkimit të rektorit.

“Procedura për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Prishtinës… është iniciuar në kundërshtim të Statutit të Universitetit, kjo përbën rast për pavlefshmëri absolute të Vendimit të Këshillit Drejtues të UP-ës për Procedurën Administrative”, shkruan në vendimin e ri të Ministrisë së Arsimit.

Ky është vendimi i dytë që merr MASHT pas zhvillimeve të djeshme. Vendimi i parë ishte për shkarkimin e Shefkije Islamajt nga pozita e përfaqësuesës së ministrisë në Këshillin Drejtues të UP-së, disa orë pasi që ajo e udhëheqi mbledhjen në të cilën kishin shkarkuar rektorin.

Vendimi i djeshëm i Këshillit Drejtues të UP-së ngriti reagime të shumta në opinonin publik. Përveç reagimit të krerëve të shtetit dhe përfaqësueve të shoqërisë civile, në rrjetin social Facebook u inicua një protestë kundër këtij vendimi.

Ndërkaq, anëtarët e Këshillit Drejtues, të cilët votuan pro shkarkimit të Zejnullahut kanë shprehur shqetësismin e tyre lidhur me ndërhyrjen e Ministrisë së Arsimit në UP.

“Me këtë ndërhyrje Ministri që do të vendos vet për ankesën qysh më pare e paragjykon vendimin dhe shkel dispozitat ligjore. Një rektor pavarësisht qëllimeve qofshin edhe qëllim-mira, nuk mund ta bllokoj institucionin kryesor vendimmarrës për çështje akademike që është Senati, dhe atë në kundërshtim të plotë me Rregulloren e punës së Senatit e të cilën rektori e ka nënshkruar”, kanë shkruar ata në reagimin e tyre.

Ata kanë dënuar ndërhyrjen, siç thonë ndërhyrjen brutale në autonominë e UP-s, dhe “sidomos ndërhyrjen direktë të ministrit.” KD ka qenë kritik edhe ndaj siç kanë thënë, etiketimeve që janë bërë nga partitë politike dhe mediat.

Kontestohen senatorët që kërkuan shkarkimin

Në janar të vitit të kaluar, Universiteti i Prishtinës bënte lajmin kryesor për rreth dy javë me radhë me protestat e dhunshme të studentëve kundër ish-Rektorit Ibrahim Gashi, ndërhyrjes së politikës, korrupsionit dhe kushteve të këqija në universitet.

Gati dy vite më vonë që nga ajo kohë, jo të gjitha kërkesat e studentëve janë plotësuar. Megjithatë, një numër i vendimeve nga ana e tanimë ish-Rektorit Ramadan Zejnullahu kishin gjetur mbështetje të gjërë në publik dhe kishte kthyer deri në një masë qetësinë në institucionin më të madh universitar në vend.

Por, vetëm një vit pasi erdhi në krye të UP-së, një numër anëtarësh të senatit filluan mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkim të rektorit, kërkesë që përfundimisht u votua të mërkurën me shumicë votash në Këshillin Drejtues.

Listës së nënshkrimeve i printe Bujar Dugolli, ish-anëtar i Aleancës për Adhmërinë e Kosovës dhe ish-Ministër i Tregtisë dhe Industrisë. Një tjetër ish-ministër dhe bashkpartiak i Dugollit tek AAK-ja, Et’hem Ceku, tani Dekan në Fakultetin e Edukimit, kishte përkrahur këtë nismë.

Valton Marku nga Klubi Politik i Studentëve, i ka thënë Gazetës Fjala se shkarkimi i djeshëm i Rektorit Zejnullahu nuk kishtë të bëntë asgjë me punën e tij si rektor.

“Ai nuk u shkarkua nga mospuna, por me porositë e strukturave kriminale brenda UP-se. Shumica e anëtarëve të KD-së dalin të jenë njerëz të partive në pushtet. Njejtë qëndron edhe Senati. Rektori kishte këmbëngulur që të mos avansohet stafi i UP-së pa kriter, e që për plagjiatorët e mashtruesit ordiner të UP-se kjo do të thoshte ndeshkim,” ka thënë ai.

“Me i zeshmi për shkarkimin e rektorit ishte Bujar Dugoli. Ai ka magjistruar sa ishte deputet, ndërsa ka doktoruar në kohën sa ishte ministër. Ky është shembëlltyra e krimit që operon brenda UP-së. Përballë këtyre matrapazëve që fshihen prapa petkut të akademikut duhet mobilizim gjithëshoqeror, sepse UP-ja nuk eshte vater e krimit por vatër e rezistencës dhe shkencës.”

Mediat më herët kanë raportuar se edhe Dugolli dhe Ceku janë avancuar brenda UP-së në mënyrë të dyshimtë.

Klubi Politik i Studentëve dje përmes një komunikatë për media kishte treguar për lidhjet politike të një numri të senatorëve dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues me parti politike.

Përvec Dugolli dhe Cekut, ata kanë përmendur edhe Skender Ahmetin, ish-Sekretar i Përhershëm në Ministrinë e Tregtisë, i cili po ashtu ka përkrahur inicitaivën për shkarkimin e rektorit.

Ramadan Zejnullahu, doktor i shkencave matematike, u zgjodh si rektor i Universitetit të Prishtinës më 2 shtator të vitit 2014. Mandati i tij ishte dy-vjecar, pasi ai do të vazhdonte periudhën e mbetur të mandatit të ish-rektorit të dorëhequr Ibrahim Gashi.

Shkarkimi nxiti reagime dhe protesta

Menjëherë pas vendimit të Këshillit Drejtues, Arsim Bajrami, Ministër i Arsimit, kishte thënë se do të takojë rektoerin Zejnullahu dhe do ta inurajojë që ky i fundit të kontestojë vendimi.

“Unë do ta takoj nesër në mëngjes rektorin Zejnullahu. E inkurajojë që ai ta përdorë të drejtën ligjore për ta kontestuar vendimin. Unë e di që nga sot se janë bërë shkelje procedurale pasi nuk është njoftuar fare anëtari austriak i Këshillit. Qëndrimi im dhe ai i qeverisë është i qartë në përkrahje të Zejnullahut, dhe besoj se gjërat nuk zgjidhen me shkarkime”, ka thënë Bajrami për media, pak orë pas shkarkimit.

Të menjëhershme kanë qenë edhe reagimet nga krerët e shtetit.

Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron jo të drejtë dhe të dëmshëm për Universitetin e Prishtinës vendimin për shkarkimin e rektorit.

Kryeministri Isa Mustafa në koordinim me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, do të kërkojnë rishikimin e këtij vendimi, thuhet në reagimin e Qeverisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se Universitetit të Prishtinës nuk i duhen veprime të tilla që e dëmtojnë Universitetin e Prishtinës pikërisht në periudhën kur Universiteti i Prishtinës po bënë hapa të mëdhenj përpara në drejtim të ngritjes së cilësisë, thuhet në reagimin e qeverisë.

E para e vendit Atifete Jahjaga doli në përkrahje të nismës Kryeministrit që ky vendim të rishikohet menjëherë.

Jahjaga tha se ky vendim është shqetësues dhe kundër angazhimit për reformim në arsimin e lartë.

“UP-ja është institucion i pavarur dhe duhet të mbetet i tillë, në mënyrë që të prodhojë vlera të ndershmërisë dhe liderë të së nesërmes, e jo vend i skandaleve e plagjiaturës”.

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka kërkuar nga institucionet përkatëse që të zmbrapsin vendimin arbitrar të Këshillit Drejtues dhe t’i japin mbështetje Rektorit dhe menaxhmentit në rrugën për tejkalimin e situatës së tensionuar.

“Në vend që të kishte mbështetje thelbësore për ndërmarrjet pozitive të Rektorit lidhur me stabilizimin e gjendjes, shoqëria po përballet me shkarkimin e tij si pasojë e një veprimi teknik të një grupi menaxherial, për më tepër, për një pjesë, të caktuar nga vetë Ministria, apo nën ndikim të drejtpërdrejtë të grupeve të interest”, shkruan në reagimin e ASHAK./Gazeta Fjala/

Leave a Reply

Your email address will not be published.