Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i është kundërpërgjigjur kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxhiri. Sipas një njoftimi të lëshuar për medie nga AAK, thuhet se Isa Mustafa e Gazmend Muhaxhiri kanë nisur një fushatë të pistë ndaj Haradinajt.
Ai ka paralajmëruar padi ndaj MUHAXHERIT për shpifje.
Ky është njoftimi i plotë i AAK-së:
Gazmend Muhaxheri, është i fundit nga të Komitetit të Isa Mustafës që kanë filluar një luftë të pistë kundër meje dhe AAK-së!
I gjendur përballë dështimeve të njëpasnjëshme në qytetin e Pejës, i tmerruar nga humbja e mbështetjes qytetare në nivel lokal e qendror dhe në përpjekje për të kamufluar këto dështime, ai është shndërruar në një shpifarak paranojak!
Pas shpifjes për Radoniqin që Isa Mustafës, pashpjegueshëm, i kishte dalë prej kontrollit, tash ky farë Muahaxheri del me një tjetër margaritar të skuadrave vrasëse ne Dukagjin dhe gënjen përtej mendjes së prisht që e ka, duke bërë përpjekje që emrin tim dhe të njerëzve të ndershëm të UCK-së, ta lidhë me vrasjet, me bixhozin dhe kontrabandën e naftës!
E gjithë kjo në shenjë hakmarrjeje pse u kam dalë në pritë që të mos e kthejnë Serbinë në Kosovë dhe të mos e zbresin Malin e zi në Rugovë!
Mesazhi im publik për Muhaxherin në Pejë e muhaxherët tjerë kudo ku janë dhe për shefat e tyre në Prishtinë është se Komunizmi në Pejë e në Prishtinë nuk kthehet, as sot as pas 20 vjetësh, as kurrë! As Serbia s’ka më punë në Kosovë.
Meqenëse nuk është hera e parë që Gazmend Muhaxheri sajon shpifje të rrezikshme kundër meje dhe dinjitetit tim përsonal e familjarë, unë do të ngre padi kundër tij. Ai duhet t’i gjejë kush janë skuadrat vrasëse dhe t’i argumentojë një për një shpifjet e tij!
Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK-së