Lajmet e fundit

Raporti i Progresit vlerëson Kosovën për MSA-në, kritikon opozitën

Komisioni Evropian sot ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovën ku ka vlerësuar si hapa të suksesshëm nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, ndryshimet Kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale si dhe marrëveshjet e arritura me Serbinë. Por ka kritikuar veprimet e opozitës, për të cilat ka rekomanduar që të gjendet zgjidhje që të zhbllokohet puna e Kuvendit.

Raporti për Kosovën pjesë e Paketës së Zgjerimit për vitin 2015 të miratuar sot nga Komisioni Evropian, ka ka arritur në përfundim se Kosova ka bërë përparim të mëtejshëm; në tetor të vitit 2015, BE-ja nënshkroi marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) me Kosovën. Ky është një moment historik në rrugën e Kosovës drejt një të ardhmeje evropiane. MSA-ja është marrëdhënia e parë kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës, transmeton lajmi.net.

Kriteret politike

Kosova ka përmbushur dy prej angazhimeve kryesore ndërkombëtare. Kuvendi i Kosovës ka votuar në favor të ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Dhomave të Specializuara në gusht, duke përmbysur dështimin e parë për të kaluar në votim gjatë qershorit. Dhomat do të ndjekin penalisht rastet e lidhura me akuza për trafikim të organeve njerëzore. Kosova ka konfirmuar gjithashtu përkushtimin e saj për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke arritur kështu marrëveshje me Beogradin për çështjet si energjia, telekomi, ura e Mitrovicës dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Seancat e fundit të dhunshme plenare të opozitës kanë ndikuar negativisht në funksionimin e Kuvendit. Por kjo duhet të zgjidhet urgjentisht.

Shumë institucione të pavarura dhe autoritete rregullatore nuk janë funksionale. Si qeveria ashtu dhe Kuvendi duhet të sigurohen urgjentisht që këto institucione të mund të kryejnë detyrat e tyre, duke zbatuar parime kryesore kyçe të llogaridhënies, kualifikimit profesional dhe meritës. Zgjedhja e Avokatit të Popullit së fundmi ishte një zhvillim pozitiv në këtë drejtim.

Qeveria ka rritur fokusin e saj në reformën e administratës publike. Është bërë progres në kornizën ligjore dhe strategjike, por llogaridhënia dhe efikasiteti duhet të përmirësohen. Konsultimet me shoqërinë civile duhen të jenë më sistematike. Mbikëqyrja parlamentare e implementimit të buxhetit duhet të jetë e besueshme dhe transparente. Menaxhimi i shëndoshë financiar rreth institucioneve publike duhet të sigurohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.