Lajmet e fundit
Rasmussen: S’ka plane për reduktime në Kosovë

Rasmussen: S’ka plane për reduktime në Kosovë

Sekretari Gjeneral i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka reaguar pas incidenteve të djeshme në veri të vendit, gjatë zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Rasmussen i ka cilësuar zgjedhjet një element të rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Rasmussen ka thënë: “Nuk duhet lejuar që dhuna të nëpërkëmbë progresin e arritur deri më tash në këtë dialog. Ne do të mbesim vigjilentë në këtë moment kyç. KFOR-i do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme, të vendosur dhe të kujdesshme, për të ndihmuar në ruajtjen e një ambienti të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë”.

Ndërsa, në lidhje me çështjen e reduktimit eventual të numrit të trupave të KFOR-it në Kosovë, Rasmussen ka thënë se aktualisht nuk ka kurrfarë planesh për reduktime.

“Planet e mëparshme për reduktim të forcave të KFOR-it në Kosovë janë pezulluar momentalisht, për arsye se ne konsiderojmë që është e rëndësishme të japim kontributin tonë në implementimin e marrëveshjes politike në mes të Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Rasmussen.

Ai ka shtuar se gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, “të dyja palët kanë kërkuar të sigurohen se KFOR-it do të mbetet në vend, për të siguruar implementimin e plotë të Rezolutës së OKB-së, 1244, dhe sigurimit të një ambienti të qetë dhe të sigurt, përfshirë lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit”.

Si rrjedhojë e kësaj, ka shtuar Rasmussen, “qëllimi ynë është që të mbesin në Kosovë, si një garantues i paanshëm i paqes dhe stabilitetit, dhe besoj se incidentet e fundit vetëm sa e vërtetojnë se sa e rëndësishme është që në të vazhdojmë ta kryejmë këtë detyrë”. /REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published.