Lajmet e fundit

“Rasti Tolaj”, dështon seanca e parë, për shkak të terminit për vizë!

Ilir Tolaj ish- sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë, do të duhej të paraqitej sot sërish në Gjykatë.

Kjo pasi do të niste seanca e shqyrtimit fillestar për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”.

Tolaj dhe gjashtë persona tjerë, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë akuzohen për keqpërodrim të detyrës zyrtare që dyshohet se ka ndodhur derisa Tolaj ka qenë sekretar në këtë Ministri.

Por ai dhe disa të akuzuar tjerë sot nuk u paraqitën në seancën fillestare gjë që detyroi gjyqtaren e Gjykatës Themelore që të shtyjë seancën për ditën e nesërme

Gjyqtarja Valbona Selimaj, lexoi vendimin me rast tha se njëri nga përfaqësuesit e të akuzuarve Artan Çerkini ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet për dy orë pasi që klienti i tij kishte një termin në ambasadën e Greqisë në Kosovë.

Selimaj: Gjykata konstaton që seanca të shtyhet

“Për shkak të një termini në ambasadën greke e të cilën e ka pranuar pas datës së marrjes seancës së sotme, ka kërkuar që seanca e sotme të shtyhet edhe atë në afat prej dy orë, mirëpo meqenëse Gjykata nuk ka mundësi që seancën e sotme ta shtyhet sot vetëm për dy orë, pasi që kjo lëndë është paraparë shumë më herët dhe është kërkuar kohë më tepër që këto të procedohen e meqenëse nuk prezantojnë të akuzuarit, Gjykata konstaton se nuk ka kushte për fillimin e fillimit të shqyrtimit të sotëm fillestar, andaj merret vendim që shqyrtimi i sotëm të shtyhet për nesër me datë 15 janar në ora 09:30”, tha Selimaj.

Avokati i të akuzuarës Remzije Thaçi, Skender Musa tha për KosovaPress se sot është dashur që të mbahet seanca fillestare ku të akuzuarit është dashur të deklarohen lidhur me pafajësinë ose fajësinë e tyre.

Në korrik të vitit të kaluar Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër Ilir Tolajt, ish-sekretar i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Bekim Fusha, drejtor i Departamentit Farmaceutik në Ministri , Zenel Kuqi , ish-menaxher i Departamentit të Prokurimit, inspektorja e farmacisë Remzije Thaçi, së bashku me koleget e saj Valentina Haxhija dhe Florije Tahiri.

Të akuzuar janë edhe biznesmenët Shpend Agani dhe Arion Lleshi. Grupi prej shtatë të pandehurve, sipas Prokurorisë për shkak të shkeljeve kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë rreth 700 mijë euro.

Tolaj edhe në një rast tjetër për keqpërdorime në Ministrinë e Shëndetësisë ishte dënuar me 18 muaj burg, ndërsa Bekim Fusha ishte shpallur i pafajshëm./K.Press

Leave a Reply

Your email address will not be published.