Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri i ka bërë thirrje Kryeparlamentrit Kadri Veseli e Kryesisë së Kuvendit që ta zhbllokojnë punën e Kuvendit.
Beqiri e ka marrë shembullin e Jakup Krasniqit kur pati larguar deputetët e opozitës të cilët pengonin mbarëvajtjen e punës së Kuvendit.
“Sa i përket mbarëvajtjes ë punës së Kuvendit, kemi përgjegjësi të gjithë. Përgjegjësia kryesore bie mbi Kryetarin dhe Kryesinë e Kuvendit. Duhet të krijohen kushtet për punë në Kuvend. Ne nuk mund t’i ndalim zhurmat e filikaqat. Por, është e papranueshme të futen në sallë skalper e armë siç ishte gazi lotsjellës”, ka thënë Beqiri, për Gazetën Express.
“Jakup Krasniqi i ka larguar me sigurim deputetët që pengonin punën e Kuvendit”, ka shtuar ai.
Javën e kaluar opozita ndërpreu punimet e Kuvendit të Kosovës. Albin Kurti përdori edhe gazlotsjellës për të shpërndarë Parlamentin. Ky akt u dënua edhe nga ndërkombëtarët derisa pozita dhe opozita ende s’kanë arritur ndonjë marrëveshje.
Sidoqoftë, Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së thotë se jeta e deputetëve s’duhet të rrezikohet nga askush.
“S’do të lejojmë të rrezikohet jeta e asnjë deputeti. Normalisht, jemi të vazhdojë puna e Kuvendit dhe gjithçka të thuhet aty”, ka deklaruar Beqiri.
Sipas tij, krejt veprimet e opozitës po bëhen për të marrë pushtetin me dhunë dhe përmes metodave anarkiste.
“Qëllimi kryesor është i qartë. Ata synojnë marrjen e pushtetit me dhunë. Me veprime anarkiste, të dhunshme, veçmas nga disa, që as nuk e kanë pranuar dhe as nuk i pranojnë institucionet e Shtetit, nuk i pranojnë veprimet institucionale dhe Republikën e Kosovës”.
“Falënderoj deputetet e pozitës për qetësinë e treguar në seancën e së enjtes. Veprimet në seancën e se enjtes kanë qenë të dhunshme, kanë rrezikuar jetën e deputetëve, gazetarëve dhe përfaqësuesve diplomatik”.
Ky zyrtar i LDK’së ka thënë se Prokuroria dhe Policia duhet të kryejnë rolin e tyre e jo të ndikohen nga deklarimet politike.