Vjen edhe reagimi i partive politike opozitare për thirrjen e Seancës së të premtes. Në një komunikatë për media e cila është dërguar nga shërbimi për shtyp i AAK-së në të cilën thuhet se reagimi është në emër të Grupeve Parlamentare të VV!, AAK dhe Nismës. Në vijim qëndrimi zyrtar i grupeve parlamentare opozitare:
THIRRJA E SEANCËS – PROVOKIM PËR OPOZITËN DHE PAPËRGJEGJËSHMËRI POLITIKË
Në kohën kur Qeveria e Kosovës me marrëveshjet e veta që e rrënojnë dhe falimentojnë republikën e ka sjellur vendin në një situatë të jashtëzakonshme, insistimi i vazhdueshëm në mbajtjen e seancave të rregullta plenare nga Koalicioni është tentim kontrabandimi i normalizimit të ‘Zajednicës’ dhe faljes së tokave të Kosovës Malit të Zi. Thirrja e seancës dhe insistimi që ajo të mbahet do ta përshkallëzojë tutje situatën.
Seanca e ardhme është caktuar të mbahet në mbrëmje, nga ora 16 të premten. Ky vendim i Kryesisë së Kuvendit më së miri e paraqet punën e koalicionit qeverisës, dhe e Kryetarit të Kuvendit: ata punojnë natën, sa më larg syve të publikut, në kundërshtim të plotë me praktikat e deritashme parlamentare. Ashtu siç i kanë arritur marrëveshjet fshehtas, tash po duan t’i përvjedhin ato me këto seancat të natës.
Nuk do të ketë vazhdim të seancës për sa kohë që nuk ka tërheqje nga marrëveshjet. Protestën nuk do ta ndalim pavarësisht se në çfarë ore mbahet seanca dhe sa kërcënuese është policia e pushtetit. Qeveria e ka sjellur këtë situatë jashtëzakonshmërie në Kosovë.
Ne si deputetë të Opozitës as nuk do të zbrapsemi e as nuk do të pushojmë deri sa të tërhiqen marrëveshjet që e cungojnë Republikën dhe territorin e saj.