Kryetari i VV-së, Visar Ymeri në Faceboo, ka reguar pas vizitës në Prishtinë të komandantit së ushtrisë serbe.
I pari i VV-së në një ragim në Facebook, këtë vizitë e ka cilësuar të papranueshme dhe ofendim për popullin e Kosovës.
Ky është reagimi i plotë i Ymerit:
Vizita e komandantit të ushtrisë serbe në Prishtinë është e papranueshme dhe është një ofendim i rëndë për popullin e Kosovës. Dikoviq, i cili në vitin 1999 ka qenë komandant i Trupave Tokësore të Serbisë është përgjegjës për krimet e masakrat e bëra në Kosovë prej reparteve ushtarake të varura prej tij.
Dikoviq është akuzuar për krime lufte prej shumë organizatave humanitare në Beograd, dhe kundër emërimit të tij si kryekomandant i ushtrisë serbe janë shprehur edhe aktivistet e njohura të të drejtave të njeriut Sonia Biserko apo Natasha Kandiq. Ky akuzohet drejtpërdrejt për si pjesëmarrje dhe urdhërdhënje të masakrës së Rezallës, Çikatovës, e fshatrave tjera në Drenicë.
Një personazh i tillë, që edhe në Serbi konsiderohet kontrovers, po rehabilitohet në vendin ku ai i ka kryer krimet, pra në Kosovë. Kjo është një fyerje për shqiptarët, të cilët ende nuk kanë marrë drejtësi për vuajtjet e rrënimin që pësuan prej luftës.
Kjo vizitë e Dikoviqit në Prishtinë është e papranueshme dhe tendencioze. Vizitat e tilla po i rehabilitojnë figurat përgjegjëse për krime të tmerrshme gjenocidale. Bashkëpunëtorë politikë të Millosheviqit, si Aleksandar Vuçiq e si Ivica Daçiq janë rehabilituar tashmë prej qëndrimit të padrejtë që ndërkombëtarët dhe pushteti i korruptuar i Kosovës ka mbajtur ndaj tyre. Sot po ndodh edhe rehabilitimi i bashkëpunëtorëve ushtarakë të Millosheviqit.
KFOR-i duhet t’i kërkojë falje popullit të Kosovës për këtë ofendim të rëndë të plagëve ende të pambyllura.
Dikoviqi është shef i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë së Serbisë, ushtri kjo kriminale e cila prapa vetes ka lënë shumë viktima të luftës e brenda vetes ka po aq shumë kriminelë lufte.
Dikoviqi është emëruar në krye të ushtrisë së Serbisë nga Vuçiqi, miku i Mustafës e Thaçit, dhe sponzorizuesi i Zajednicës.
Ky është një argument shtesë pse duhet ndalur përfundimisht ky proces dialogu me Serbinë, pse duhet kushtëzuar çfarëdo marrëdhënie me të, dhe pse nuk duhet në asnjë mënyrë të zbatohen marrëveshjet për ‘Zajednicën’. ‘Zajednica’ do të jetë edhe e Dikoviqit, siç është e Vuçiqit.
Mohimi i drejtësisë për një popull të tërë është cenimi më i rëndë që mund t’i bëhet paqes.