Ambasadori i Kosovës në Tiranë Ramiz Lladrovci në një shkrim dërguar për botim në redaksinë e gazetës DITA flet për vigjiljen e ndeshjes së futbollit Shqipëri-Serbi.
“Asnjë ngjarje e tillë nuk është pritur me kaq padurim, shpresë, ankth dhe përgjegjësi, në të katër anët e kufijve. Sytë e botës jo vetëm futbollistike, atë ditë janë në Elbasan. Ata, që prej vitesh e njohin politikën fqinjësore të kundërshtarit tonë të futbollit e dinë krejt mirë se perceptimi i tyre nuk do të jetë thjesht futbolli. Në disa deklarata të sportistëve serbë janë dhënë sinjale se ata këtë ndeshje e përceptojnë si luftë dhe, ku ta dish, shenjat që mund të japin do të mundin të acarojnë shpirtat e trazuar. Jam i bindur se presioni mbi njerëzit në shkallët e stadiumit do të jetë i madh; do të shfaqen provokime; e di fare mirë se është e vështirë te nderosh hymnin e një shteti që deri para disa vitesh ka patur në nje pjesë të rëndësishme të kombit makinerinë e saj vrastare, nga e cila janë vrarë edhe disa pjestarë të familjes sime; bëj pjesë në ato njerëz që mendojnë se një ndeshje futbolli, duke qenë e tillë, në këtë rast është më shumë se kaq, por ajo që ndodhi në Beograd nuk duhet të përsëritet në Elbasan – shkruan z.Lladrovci në DITA.
Ai mendon se “është rast historik që ta ridëshmojmë veten, si komb, se nuk jemi si të tjerët, se ne jemi ndryshe përballë të gjithë ballkanasve të tjerë”.
“Civilizimi do të testohet (do të dëshmohet) pikërisht më 8 tetor, kur në Elbasan Arena nuk do të luhet vetëm një ndeshje futbolli. Suksese kuq e zi! Suksese shqiptarëve drejt Evropës, atë ditë kur nuk është në pyetje veç kualifikimi në Kampionatin Evropian 2016” – shkruan ambasadori.
I ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës në Tiranë në letrën e tij në DITA i tërheq vëmendjen edhe Federatës Shqiptare të Futbollit:
“Fakti që më se gjysma e ekipit kombëtar vjen nga trojet shqptare të Kosovës është ogur i mirë për gjëra më të mëdha në të ardhmen, por kjo nuk i thotë asgjë, ose thuajse asgjë Federatës Shqiptare të Futbollit. Si përfaqësues i qeverisë së Kosovës në Tiranë, me këtë cilësi, i kam kërkuar 60 bileta, në vende të ndryshme, aspak të privilegjuara, për institucionet kryesore të Kosovës, presidencë, Kuvend, Qeveri, por , në fakt nuk na janë përgjegjur në asnjë drejtim, gjë që nuk u bën nder drejtuesve të saj…” – shkruan ai.