Në këtë vend para 17 vjetësh forcat serbe kanë ekzekutuar 44 meshkuj e që ishte pikërisht kjo masakër që ngriti në këmbë bashkësinë ndërkombëtare për të parandaluar gjenocidin serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Në atë mëngjes në fshat [policia serbe mblodhi 70 banorë të Reçakut, ku forcat serbe i ndanë burrat nga gratë. Disa prej tyre i kishin vrarë në prani të gjithëve dhe disa të ndarë nga të tjerët. Këto momente edhe pas 17 vjetësh i mban mend edhe Ismet Emini.
I emocionuar ai kujton mëngjesin e kobshëm të 15 janarit të vitit 1999 kur forcat serbe ia masakruan vëllain , i cili ishte i pari që atë ditë u vra nga forcat serbe. Ndërsa Ismeti ishte plagosur.
“Unë e kam një vëlla të vrarë aty dhe i pari vllau jem ësht ë vra. Jemi dal me vëllain me këqyr çka u bë se ja nisën krismat. Ata llagemat kanë qenë atje për mbi neve , e gjuajtën atë e vrajtën, ia hoqën kapakun e kokës krejt. Mua më plaguan në dy vende”, rrëfen Ismeti për KosovaPress.
17 vjet pas, Ismet Emini ndihet i zhgënjyer me mos kujdesin institucional ndaj kompleksit memorial në Reçak dhe ndaj të gjithë atyre që pësuan gjatë luftës në Kosovë.
“Në përgjithësi në Kosovë gjithkund kanë mbet bash ato vendet e shenjta , kanë mbet mbrapa, ku ka dëshmorë ….. Mbesin komplekset mbrapa t’u i rritë xhepat, interesi, për atë kanë mbet. Ata çka janë në kryesi atje, ata nuk kanë sikur ne viktima , e atij që nuk ia ka zënë dera gishtin nuk i dhemb, e atij që ia ka zënë gishtin dera, e din me kallxu edhe na dimë me kallxu”, tha Ismet Emini.
Kompleksin memorial në Reçak e kanë vizituar sot edhe shumë figura politike të vendit si kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, presidentja Atifete Jahjaga, lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, etj.
Si çdo vit në Reçak ishte edhe personi kryesor që tha publikisht se kjo që ka ndodhur në Recak është krim kundër njerëzimit.
Madje për nder të tij sot i është bënë gurthemeli shtatores që do të ngitet për nder të tij.
Walker tha se nuk e dinte se sa mirë përkujtohej ngjarja e Reçakut .
“Jam shumë i lumtur t’i shoh shumë njerëz këtu. Nuk e dija sa mirë përkujtohej Reçaku, por e di se ai e përkujton, unë e përkujtoj, por të shohësh kaq shumë fëmijë dhe njerëz këtu është shumë mbresëlënëse dhe jam shumë i inkurajuar nga kjo”, tha Walker.
Në vënien e gurthemelit të shtatores për nder të Walkerit ishte edhe presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, e cila nuk ia zgjati fare dorën ish-ambasadorit Walker dhe as nuk u deklarua për media.
Duke nderuar të rënët e Reçakut kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se institucionet e kanë obligim që të punojnë për Kosovën.
“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë qytetarët e Kosovës, është ditë e dhimbjes dhe krenarisë. Përveç përkujtimit që e kemi për të rënët, për ata që kanë dhënë edhe jetën e tyre, sakrificën e tyre që sot ta kemi lirinë, në të njëjtën kohë, veçanërisht institucionet e Kosovës e kanë edhe obligimin që çdo ditë të punojnë rreth këtij ideali. Në të njëjtën kohë, kjo është një ditë e veçantë edhe thirrjes së ndërgjegjes në rend të parë njerëzore, që e solli gjithë bashkësinë ndërkombëtare të bëhen bashkë, të thërrasin një konferencë për çështjen e Kosovës, një senzibilizim i jashtëzakonshëm veçanërisht për të ardhmen e popullit tonë, pas saj edhe intervenimin e NATO-s “, tha ai.
Ndërsa lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kujtoi ngjarjen e Reçakut duke thënë se kjo ditë kthen mbrapa dhimbjen e përjetuar atëherë.
“Jemi në vendin prej ku dritë është bërë për të vërtetën e Kosovës. Reçaku dhe njerëzit tonë që janë flijuar në Reçak po veçanërisht edhe urtësia e fjalës dhe së vërtetës e shprehur në atë kohë prej ambasadorit Walker bëri që e vërteta për luftën tonë të merr dritë. Pra, e drejta, të dinë të gjithë se çka po ndodh në Kosovë, pra secilin të paarmatosur, të pambr ojtur nga shtëpitë e tyre e kanë një fund tragjik, ashtu si iu ndodhi. I përkujtojmë me nder. Është moment dhe ditë kur e kthen edhe dhimbjen edhe gjithë ato që në atë kohë nuk kanë qenë vet”, tha Haradinaj.
Reçakun sot e vizituan edhe kreu i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, ministri i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli , ai i diasporës, Valon Murati si dhe personalitete tjera.