Kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma i cili kishte fituar garën si kandidat i pavarur nuk po pajtohet me veprimet e opozitës në Kuvend, por është kundër marrëveshjeve për Asociacionin dhe Demarkacionin me Malin e Zi.
Suma ka thënë për Indeksonline se veprimet e opozitës në Kuvend janë të papranueshme, ndonëse konsideron se kundërshtimi është i nevojshëm.
“Reagim duhet të ketë dhe ka nevojë sepse marrëveshjet janë të dëmshme, vetëm se unë nuk pajtohem me dhunën që po përdor opozita, përkatësisht gazin lotsjellës dhe kjo është e papranueshme”, ka thënë Suma.
I pari i Hanit të Elezit që e kishte mbështetjen e Vetëvendosjes gjatë zgjedhjeve të fundit lokale është shprehur se duhet të ketë protesta paqësore deri në anulimin e marrëveshjeve
“Duhet të ketë protesta paqësore dhe mos të ndalen asnjëherë, dhe të tregohet se popullata është kundër nënshkrimit të dy marrëveshjeve”, ka thënë Suma.
Por ai nuk po pajtohet as me deklaratat e Qeverisë ku thuhet se manifestime ishin vetëm 200, 2000 apo 3000 protestues, pasi sipas tij, numri i pjesëmarrësve në protestë nuk e përfaqëson qëndrimin e popullit.