Reformimi i Administratës Publike vazhdon të jetë njëra ndër sfidat me të mëdha për institucionet e vendit.
Politizimi i administratës publike, mungesa e llogaridhënies, janë vetëm disa nga vërejtjet e shumta që jepen nga institucione vendore e ndërkombëtare, çka po e bënë të vështirë reformën e duhur.
E, për këtë, në një panel diskutues të organizuar nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP) me temë “Reforma e Administratës Publike: Sa mund të jenë ndryshimet në Ligjin për Shërbimin Civil zgjidhja? Një perspektivë e Shoqërisë Civile”, u tha se ka nevojë për plotësimin e Ligjit për Shërbimin Civil.
Ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar tha se pavarësisht vlerësimit se Ligji për Shërbimin Civil është një prej ligjeve më të avancuara në fushën e administratës publike, prapë ekzistojnë disa mundësi që të bëjnë plotësim ndryshime në këtë fazë që ligji të jetë më i implementueshëm.
Në anën tjetër, zëvendësministri i Integrimit Evropian Ramadan Ilazi theksoi se institucionet e Kosovës në periudhën e fundit kanë kaluar në sfida dhe procese të shumta reformuese dhe njëra ndër këto procese është edhe procesi i reformës në administratën publike të cilën dëshirojnë ta bëjnë sipas standardeve evropiane.
Ilazi shtoi se ata si Qeveri e kanë prioritet reformën në administratë, por janë të vetëdijshëm edhe për sfidat dhe vërejtjet e raportit të progresit për një administratë të politizuar, nepotizëm, mungesë e llogaridhënies e tjera.
Se duhet një plotësim ndryshim i ligjit për shërbimin civil, vlerëson edhe kryetari i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës Lulzim Alijaj, sipas të cilit pavarësisht se të gjithë po e thonë që administrata publike, shërbimi civil është faktori kyç i ndërtimit të shtetit, nuk po bëhet puna e duhur për këto reforma.
Sipas tij, nuk mund të ndërtohet një administratë publike, nëse një zyrtar ligjor në QKUK nuk është shërbyes civil, ndërsa një zyrtar ligjor në Ministrinë e Shëndetësisë është zyrtar civil, pasi ky është parcializim i shërbimit civil dhe nuk duhet të lejohet.