Diku pas orës 10:00 të paradites, rektori Ramadan Zejnullahu arriti në oborrin e rektoratit ku edhe u përballë me protestuesit që po e prisnin aty. Duke brohoritur “jashtë” jashtë” protestuesit, të vendosur me bllokimin e hyrjes së këtij institucioni, i thanë Zejnullahut që po e shkelë ligjin duke ua mohuar atyre të drejtën e regjistrimit.
Rektori tha se në këtë drejtim nuk ka se çka bëhet më, dhe studentët veç sa po humbin kohë aty. Ai iu tha se bllokada nuk është rruga e zgjidhjes së problemeve.
Duke parë studentët që kanë zënë hyrjen, rektori Zejnullahu veç sa debatoi pak me ta dhe u kthye prapa.
Zejnullahu tha se nuk mund të kërkohet të rritet numri i studentëve, sepse konkursi dhe të gjitha procedurat tashmë kanë përfunduar dhe më nuk do të mirret me këtë punë.
Megjithatë, kandidatët për studentë që e kaluan natën pranë dyerve të ndërtesës së rektoratit, nuk e kanë ndërmend të ndalen.
Para orës shtatë të mëngjesit, kandidatët që po protestojnë pranë rektoratit, u pozicionuan para derës ndërtesës së rektoratit dhe nuk lejonin asnjë punonjës të këtij institucioni që të hyjë brenda.
Derisa qëndruan tërë natën jashtë, Lyra Namani tha se nuk u kontaktuan nga askush që do të pyeste për gjendjen e tyre.
Me gjithë motin e ftohtë, kandidatët për studentë thanë se nuk do të lëshojnë dyert e rektoratit derisa kërkesat e tyre të gjejnë zbatim. Aty iu bashkuan edhe disa prej prindërve.
Zajmi, që është babai i Invës, njëra nga kandidatet, tha se po presin realizmin e kërkesave të fëmijëve të tyre. Ai tha se Ministria e Arsimin duhet të jap urdhër për zbatimin e vendimit që e ka lëshuar.
Vendimi i MAShT’it, që u ishte marrë në korrik të këtij viti, është që numri i studentëve në Farmaci dhe Stomatologji të Fakultetit të Mjekësisë të jetë aq sa ishte vitin e kaluar. Por, rektori Zejnullahu vendosi që Stomatologjia të ketë 50 studentë e Farmacia 40. Kështu mbetën 30 kandidatë për studentë jashtë regjistrimit, e që tani thonë se do të protestojnë derisa të iu njihet e drejta për regjistrim.