Djali i Remzi Hoxhës ka nisur një fushatë për rifillimin e procedurave të gjykimit të vrasjes së tij misterioze 20 vjet më parë ku të akuzuar kryesorë janë ish-drejtues të Shërbimit Informativ Kombëtar të asaj periudhe raporton portali Albeu.
Por ndërkohë që Ardian Hoxha, djali i Remziut kërkon ndëshkimin e fajtorëve për vrasjen dhe zhdukjen e trupit të babait të tij, një ndër dëshmitarët okularë të ngjarejeve të fillimit të viteve ’90, Izet Haxhija i ka nisur atij një letër publike ku i shjegon se çfarë ndodhi me babain e tij.
Në letrën e publikuar sot tek gazeta “Dita”, Haxhija i thotë Ardianit se trupi i Remzi Hoxhës është hedhur në det pasi është vrarë nga strukturat e SHIK-ut të asaj kohe.
“Babain tënd Ardian, e vrau shteti amë dhe veglat e shërbimeve sekrete fqinje. E vranë sepse ishte një nacionalist. Dhe më e tmerrshmja, pasi e vranë në tortura mizore, trupin e tij të pajetë e hodhën në det. Remzi Hoxha ishte një dëshmitar i tradhëtisë së tyre ndaj atdheut dhe shqiptarizmit. E lexova intervistën tënde dhe ndihem i prekur. Ti je rritur pa babain tënd, ashtu si fëmijët e mij janë rritur pa mua. Unë ju drejtohem juve si një baba që ka me vite që nuk takon fëmijët e tij, për shkak të njëjtit person që juve ju ka bërë të kërkoni të drejtën më të ligjshme në botë, një varr”, – shkruan Haxhija.
Ai thekson më tej se shteti shqiptar duhet t’i çojë para drejtësisë Ilir Kumbaron dhe Arben Sefgjinin qoftë edhe me statusin e të penduarit. “Vrasja dhe zhdukja e kufomës së Remzi Hoxhës është një njollë e zezë në historinë e shtetit shqiptar. Është në nderin e kësaj qeverie që të vejë në vend sadopak dinjitetin e këtij shtetiduke e zbardhur këtë krim makabër…”, – vijon Haxhija.
Izet Haxhija është një ndër dëshmitarët që ka marrë pjesë, ka qenë pjesëmarrës ose ka dijeni për shumë ngjarje gjatë fillimit të viteve ’90 ku pluralizmi dhe demokracia njiheshin pak ndër shqiptarët duke bërë që të ndodhnin krime të tmerrshme si edhe ngjarje të mëdha me pasoja të parikuperushme për vendin. /albeu.com/